Pesë fëmijë mbeten të vetëm në parkingun e burgut Sincan të Ankarasë në Turqi, pasi nëna e tyre e cila kishte ardhur për të vizituar babain e fëmijëve që ndodhet i arrestuar, ndalohet nga policia si e dyshuar për terrorizëm.
Një video tronditëse është përhapur gjerësisht në internet, në të cilën shfaqen pesë fëmijë, njëri prej të cilëve me sindromën Down, teksa mbeten të vetëm në parkingun e burgut në Sincan të Ankarasë, ndërkohë që e ëma e fëmijëve u arrestua, si pjesë e valës së spastrimeve pas tentativës për grusht shteti, shkruan Zëri.
Kjo video, e cila zgjat 37 sekonda, është postuar prej vëllait të tyre dhe nis me fjalët e djaloshit, i cili thotë se vendi ku ata gjenden është burgu ku është futur edhe “babi” i akuzuar për lidhje me Lëvizjen Gulen. Mandej ai hap derën e njërës prej makinave, ku gjendeshin edhe fëmijët e tjerë (vëllezërit e tij), njëri prej të cilëve edhe me sindromën Down, duke qëndruar i hutuar dhe i frikësuar tejmase për ato që po ndodhnin.
Djali thotë gjatë videos se të pesë fëmijët kishin mbetur aty, pasi nëna e tyre ishte ndaluar nga policia me akuzën për terrorizëm gjatë vizitës që ajo do ti bënte babait të tyre në burg.
“Kemi edhe një vëlla me të meta. Na kanë lënë këtu vetëm. Nuk kam çfarë të them tjetër, Zoti bëftë me ju siç di vetëm Ai”, dëgjohet të thotë duke qarë djali më i madh i familjes.
Këto pamje u përhapën mjaft shpejt në mbarë Turqinë. Madje Mahmut Tanalli, një deputet ky i opozitës shekullare të Partisë Republikane Popullore, ka lëshuar menjëherë një deklaratë me shkrim, ku akuzon autoritetet për neglizhencën e treguar karshi këtij incidenti.
“T’i lësh ata fëmijë ashtu vetëm, bie ndesh jo vetëm me të drejtat e fëmijëve apo me parashikimet ligjore të shkeljes së tyre. Ne do ta monitorojmë këtë rast. Duhen marrë menjëherë masat për mbrojtjen e këtyre fëmijëve prej viktimizimit”, – ka shtuar ai.
“Patjetër që përparësia jonë është mbizotërimi i ligjit, mirëpo t’i lësh pesë fëmijë vetëm, pa asnjërin nga prindërit, sepse po i ndalon nënën derisa viziton në burrg burrin e vet është e papranueshme, si nga pikëpamja ligjore, ashtu edhe nga pikëpamja e ndërgjegjes shoqërore. Imazhet e kësaj videojë janë një thirrje për ndihmë që na drejtohet të gjithëve,” – ka përfunduar ai.