Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ia ka dhënë një shuplakë të fortë Serbisë. CAS-i e ka refuzuar kërkesën e serbëve për anulimin e vendimit të UEFA-s për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi e ka vlerësuar atë si të pabazë. Drejtuesit e futbollit kosovar e konsiderojnë këtë si një tjetër fitore ndaj serbëve dhe se me këtë rast u konfirmua vendimi i drejtë që e kishte marrë shtëpia e futbollit evropian në maj të vitit të kaluar.
Futbolli kosovar e ka marrë edhe një lajm të mirë të martën. Në fakt, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka refuzuar përfundimisht dhe e ka konsideruar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit të UEFA-s për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Kjo e fundit ishte bërë pjesë e shtëpisë së futbollit evropian më 3 maj të vitit 2016, ndërsa pas 10 ditësh të njëjtën gjë e kishte bërë edhe FIFA duke e afruar në gjirin e saj FFK-në, shkruan sot gazeta Zëri.
Mirëpo, serbët nuk e kishin pritur aspak mirë këtë vendim, duke aluduar se UEFA i kishte thyer rregulloret dhe statutin e saj. Si rrjedhojë, ata kishin shkuar më larg, duke u ankuar në CAS.
Më pas, Federata Serbe e Futbollit dhe UEFA kishin angazhuar avokatë të fortë dhe në fund lëndën e fitoi institucioni më i lartë i futbollit evropian, pasi gjykata më e rëndësishme evropiane e sportit e përkrahu vendimin e UEFA-s për ta pranuar Kosovën.
“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e ka refuzuar kërkesën e Federatës Serbe kundër UEFA-s. Si rezultat, FFK mbetet anëtar i UEFA-s dhe kjo është e konfirmuar. Paneli i CAS-it ka vlerësuar se UEFA nuk e ka shkelur asnjë rregull dhe e ka pranuar një shtet që është i pavarur, i cili është i njohur nga shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, shumica e vendeve anëtare të UEFA-s, në Kongresin e saj, e kanë votuar pranimin e FFK-së në UEFA. Prandaj, kërkesa e FSS-së refuzohet”, shkruan në vendimin e CAS-it.