Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagon ashpër ndaj vazhdimit të paraburgimit për ish ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Sipas BDI-së kjo përbën drejtësi selektive dhe hakmarrje politike.
“Vazhdimi i paraburgimit për ish-ministrin Kreshnik Bekteshi, ndërkohë që fajtorët e drejtpërdrejtë – ata që kishin për detyrë sigurinë e fëmijëve, si dhe kryetarët e komunave të Koçanit – ndodhen ende të lirë, përbën një shprehje të pastër të drejtësisë selektive dhe hakmarrjes politike. Kjo nuk është thjesht një shkelje e standardeve ligjore – por një diskriminim i hapur politik dhe partiak, që përbën cenim flagrant të parimeve themelore të një shteti të së drejtës. Për më tepër, edhe pse dëshmitarët dhe prindërit e viktimave kanë identifikuar qartë fajtorët dhe kanë kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Brendshme, vetëm ish-ministri Bekteshi mbahet ende i izoluar – si mbulesë për të garantuar lirinë e fajtorëve të vërtetë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Sipas partisë së Ahmetit prokuroria dhe pushteti aktual po shkelin në mënyrë brutale çdo parim ligjor.
“Prokuroria transaksionale dhe pushteti aktual po vazhdojnë të shkelin në mënyrë brutale çdo parim ligjor, moral dhe njerëzor. Kryeministri, pasi e kërcënoi publikisht prokurorin se do të nxjerrë njerëzit në rrugë kundër tij, tani e ka nënshtruar plotësisht dhe sillet njëkohësisht si prokuror dhe si gjykatës. Nëse rruga është zgjidhja – atëherë ka ardhur koha që të gjithë qytetarët të bashkohen me familjet e viktimave të Koçanit dhe të kërkojnë drejtësi – në mënyrë paqësore, por të vendosur, në rrugë”, thonë nga BDI.