Fillon asfaltimi i rrugës Izvor-Dibër! Arsyeja e vonesës ishte shembja e dheut

Rruga Kërçovë-Dibër, konkretisht nga fshati Izvor deri tek Ura e Dibrës ka filluar të asfaltohet në pjesët ku nuk shembet dheu. Punimet po i realizon kompania “Ilinden”, pronari i së cilës, Rade Trajanovski, na tha se nuk e kishin menduar se gjërat do të rridhnin kështu. Zotohet se projektin e ndërmarrë, sipas përvojës, do ta realizonin shumë shpejtë, por që shembja e dheut ua ka vështirësuar tej mase punën. Kompania ka kërkuar mjete shtesë për përfundimin e rrugës, mjete për vendosjen e mureve mbrojtëse.

“Ndërmarrja Shtetërore na kanë thënë se do të ketë mjete për muret mbrojtëse por zyrtarisht ende nuk kemi asnjë njoftim, por ne do të vazhdojmë me punë, një pjesë do ta asfaltojmë, një pjesë e kemi asfaltuar edhe diku tek 9 km do t’i asfaltojmë tani, ndërsa pjesët ku shembet dheu do ti lëmë për të ndërtuar fillimisht muret mbrojtëse me mjetet që do ti ndaj ndërmarrja”, tha Kompania “ilinden”
.

TV21 kërkoi qëndrim nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore” nga ku na thanë se janë parashikuar mjete për përfundimin e kësaj rruge.

“Punimet për ndërtimin e rrugës rajonale R2246, segmenti Izvor (lidhja me A2) – Ura e Dibrës, në gjatësi prej 19,00 km, janë në vijim. Gjithashtu, në Planin Vjetor të Prokurimeve Publike për vitin 2025 të NP për Rrugët Shtetërore janë parashikuar mjete për përfundimin e ndërtimit të këtij segmenti të rrugës rajonale R2246”, tha NP “Rrugët Shtetore”.

Me sa mësoi TV21, i gjithë problemi ka lindur nga projektuesit e projektit, pasi nuk kanë qenë në terren për të parë gjendjen dhe rrezikun nga shembja e dheut, por siç na thanë burimet, përmes Google Maps e kanë realizuar një projekt, andaj ka pasur vonesa dhe mosrealizimin e rrugës në kohë.

Ky segment mbetet një lidhje e rëndësishme për qarkullimin rajonal dhe pritet që pas përfundimit të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen ndërmjet Kërçovës dhe Dibrës, si dhe të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu