Njëri nga themeluesit e Aleancës për Shqiptarët, Latif Arifi, në rrjetin social facebook ka reaguar fuqishëm duke kërkuar nga aktivistët dhe të gjithë anëtarët e ASH-së, që të mos heshtin në këto momente kur strukturat e BDI-së dhe Ali Ahmeti kërkojnë sërish ta përpijnë Aleancën për Shqiptarët.
Ja dhe postimi i tij i plotë:
Për aktivistin e sinqertë të Aleancës për Shqiptarët- Sot nuk duhet të heshtim!
Të dashur miq, shokë, dhe ju aktivistë të palëkundur të Aleancës për Shqiptarët,
Në këto ditë të vështira për formacionin tonë politik, kur Aleanca për Shqiptarët ndodhet përballë një stuhie që synon ta largojë nga rruga e saj historike dhe parimore, ndjej detyrim moral të ndaj me ju disa mendime që burojnë nga dhembja, por edhe nga dashuria për këtë shtëpi politike që e ndërtuam me mund, sakrificë dhe besim të ndërsjellë.
Vendimi për të braktisur agjendën e ndryshimit dhe për t’u afruar me strukturat që Aleanca i ka kundërshtuar që nga themelimi, është një hap që jo vetëm na ka befasuar, por edhe thellësisht na ka zhgënjyer. Kjo nuk është ajo rrugë për të cilën u angazhuam me zemër, me mendje dhe me gjithë qenien tonë.
Për fat të keq, historia po përsëritet.
Dikur, të gjithë ne, pa përjashtim ishim nën sulme të egra nga ata që nuk e donin Aleancën. Por ia dolëm ta mbrojmë këtë shtëpi. Disa prej nesh paguan një çmim të lartë. Disa u larguan, të tjerë u kthyen, por ne qëndruam, sepse ideali ishte më i fortë se çdo presion.
I njejti skenar sot po luhet nga e njejta kuzhinë. Strukturat e BDI-së dhe rrethit të Ali Ahmetit po kërkojnë sërish ta përpijnë Aleancën tonë. Por ne jemi ende këtu, dhe këtë herë ashtu si herën e parë, do të qëndrojmë të bashkuar dhe të pathyeshëm.
Unë, që sot po ju drejtohem, nuk kërkoj asgjë për vete. Jam i njëjti që kam qenë gjithmonë: në vijën e parë për ta mbrojtur këtë ideal. Nëse dikush dyshon, le të kujtojë betejën e kaluar, kur bashkë me shumë prej jush, e shpëtuam Aleancën nga shtrëngata. E them me bindje të plotë: jemi këtu jo për të shërbyer ndonjë emër të ri, por për të mbrojtur frymën e vërtetë të Aleancës për Shqiptarët, frymën e Arben Xhaferit dhe të gjithë atyre që besuan në politikën e pastër dhe në përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve.
Ndjej keqardhje që veprimet e fundit të udhëheqësit tonë, Arben Taravari, për të cilin kemi pasur dhe ende kemi respekt për shumë gjëra, tani na kanë zhgënjyer thellësisht.
Nuk e prisnim këtë rrugëtim, të ndikuar nga individë që i kanë sjellë më shumë dëm se dobi kësaj partie
Dhe po, duhet ta themi hapur: sot nuk ka vend për heshtje. Nuk na duhen më njerëz që i ka marrë mendja flakë e mendojnë se janë ”sherif” të partisë.
Nuk mund ta lëmë fatin e Aleancës në dorën e individëve që nuk kanë as përvojën, as përulësinë dhe as dashurinë për këtë shtëpi. Ata që sot e quajnë veten strategë politikë, dje ishin të padukshëm, diku larg betejave tona të përbashkëta.
Prandaj, sot është koha që të flasim. Të ngremë zërin dhe t’u themi JO atyre që duan ta shesin Aleancën. Ti themi JO këtij rrugëtimi pa kthim që po na imponohet. Nuk mund të heshtim, sepse nesër do të jetë vonë!
Unë e di se janë të shumtë ata që me zemër e shpirt nuk pajtohen me këto ndryshime të pashpjegueshme të kursit politik të Aleancës, por për të mirën e kësaj shtëpie të krijuar me mund, djersë e shumë sakrificë, MOS HESHTNI! Tani është momenti kur duhet guxim, dije e qëndrim i fortë në rrugën e drejtë!
Me respekt dhe përulësi,
Njëri prej jush , aktivist, bashkëluftëtar dhe mbrojtës i Aleancës sonë!