Këshilli Federal i Zvicrës ka pritur Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin me të gjitha nderimet.
Gazeta Zvicerane Blick.ch raporton se edhe ylli i futbollit Xherdan Shaqiri është i pranishëm në darkën shtetërore.
“Marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Kosovës janë të ngushta për arsye historike”, shkruan Blick.ch transmeton “Bota sot”.
Kujtojmë se Presidentja e Konfederatës, Keller-Sutter (majtas), dhe bashkëshorti i saj Morten Keller, e përshëndetën me ngrohtësi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe bashkëshortin e saj Prindon Sadriu.
Raportohet se influencues të ndryshëm po i bëjnë thirrje komunitetit nga Kosova që të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes së presidentes në Bernë.
Në Zvicër jetojnë mbi 200,000 persona me prejardhje nga Kosova – që përbën më shumë se një të dhjetën e popullsisë së këtij shteti të ri.
Deri më sot, shumë shtetas të Kosovës janë natyralizuar në Zvicër: Vetëm në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare, 2,255 persona nga Kosova morën pasaportën zvicerane.
Marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Kosovës janë të ngushta dhe janë zhvilluar ndër vite. Këto shtatë momente tregojnë se sa të thella janë ato.
Presidentja Osmani nis vizitën në Zvicër, pritet nga presidentja zvicerane
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot nga Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, në Lohn Manor – rezidenca zyrtare e Këshillit Federal të Zvicrës.
Kjo pritje u zhvillua në kuadër të vizitës shtetërore që Presidentja Osmani po realizon këto ditë në Zvicër.
Në takim me Presidenten Osmani janë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe Qemajl Aliu, kryetari i Komunës së Shtimes.
Pas takimit bilateral, Presidentja Osmani do të pritet me nderime ushtarake në Sheshin Federal në Bernë. Më pas, të dyja presidentet do të japin deklarata për media nga Ndërtesa e Parlamentit/Këshilli Federal.
Vizita do të vazhdojë me një konferencë të përbashkët për media të dy lidereve, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe roli i diasporës kosovare në Zvicër.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu një takim me mërgatën shqiptare në qytetin e Gjenevës./BS