​Mos konstituimi i Kuvendit, Osmani nga Zvicra: Barrën e vonesave e paguajnë qytetarët

Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, ka pritur sot në takim homologen e saj nga Kosova Vjosa Osmani, me të cilën kanë diskutuar për marrëdhëniet ekonomike, marrëveshjen për tregtinë e lirë, çështje të emigracionit dhe projektet në fusha të rëndësishme në Kosovë.

Në një konferencë për media pas takimit, presidentja zvicerane ka deklaruar se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë Kosovën. Ajo përmendi edhe rolin e diasporës shqiptare në thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve mike.

“Kosova është një vend i ri, më i ri i Evropës, por kontaktet kanë që na lidhin kanë një të kaluar. Në vitet e gjashtëdhjeta punëtorët kosovarë erdhën në Zvicër, më vonë edhe refugjatë që gjetën një shtëpi të re te ne. Sot Zvicra nuk mund të paramendohen pa njerëz me prejardhje nga Kosova. 160 mijë deri në 250 mijë, pavarësisht se si i numëroni. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e vendit tonë gjatë dekadave të fundit… Zvicra do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shprehur falënderimin e saj për mbështetjen e shtetit zviceran në fazat e shtete-ndërtimit, si dhe përmes pjesëmarrjes në misioni paqeruajtës të NATO – KFOR. Ajo përmendi edhe rolin e diasporës shqiptare për thellimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Zvicër.

“Zvicra qëndroi pranë atëherë dhe qëndron pranë nesh edhe sot gjersa ndërtojmë një të ardhme më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë. Jemi veçanërisht mirënjohës për rolin paqeruajtës të Zvicrës në kuadër të KFOR-it, si dhe për përkushtimin zhvillimor të Zvicrës në raport me shtetin tonë ndër vite”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se marrëveshja e tregtisë me Zvicrën do të hapë rrugën për zhvillim ekonomik, teksa ftoi komunitetin i biznesit zviceran të vazhdojnë ta shohin Kosovën si një vend me potencial të madh ekonomik.

Duke folur mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e para e shtetit tonë ka përkujtuar se raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Parlamentit Evropian kanë dëshmuar se Serbia po kryen spastrim etnik me mjete administrative duke i larguar nga listat e votuesve dhe duke i lënë pa nënshtetësi.

“E kam ngritur zërin nga KS i OKB-së deri në PE, dhe e bëjmë vazhdimisht ndërkombëtare, sepse në Kosovë jemi shembull i mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve pakicë, por edh dhënies së të drejtave që është zor të gjenden në vendet e BE-së, kurse në Serbi kemi një sistem represiv, i cili vazhdon. Reciprociteti i të drejtave e kam mbështetur më shumë se për një dekada, sepse kjo nënkupton se aq të drejta u jepen pakicave në Kosovë, aq të drejta do të duhej t’u jepen shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, fatkeqësisht kjo është refuzuar nga Serbia, e cila nuk ka treguar interesim të zbatojë detyrimet e veta ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, por kjo nuk do të thotë që të ndalim së ngrituri zërin dhe të kërkojmë përkrahjen ndërkombëtare që edhe qytetarëve shqiptarë në këto komuna t’u mbrohen këto të drejta”, ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe rreth ngërçit politik të krijuar në Kosovë për shkak të mos zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit.

“Si presidente jam e shqetësim, sepse barrën e vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me mos konstatimin e Kuvendit nuk mund të trafikojmë marrëveshje ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta që i mbajmë për shkak të mungesës së Kuvendit të Kosovës. Besoj se partitë politike në Kuvend shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje për të kaluar situatën e tanishme, sepse sa herë e vendosin vendin si parësor, gjithmonë zgjidhja politike është afër”, ka thënë Osmani.

Vjosa Osmani ndodhet për vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të homologes së saj zvicerane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu