Me 28 maj 2025, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, para mediave prezantoi dhe publikoi raportin e punës për vitin e parë të mandatit të tij.
Sipas këtij raporti, njofton Ora24.4v, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shënuar një rritje të konsiderueshme në efikasitetin e legjislativit. Për vetëm një vit janë realizuar mbi 50 seanca plenare dhe 332 seanca komisionesh, ndërsa janë miratuar rreth 280 akte ligjore, ndryshime, plotësime dhe amandamente.
Ky numër tregon një rritje prej afërsisht 50% në krahasim me mesataren vjetore të mandatit të kaluar.
Për më tepër, raportohet që përdorimi i diskutueshëm i “flamurit të BE-së” për procedura të përshpejtuara është reduktuar ndjeshëm. Në raport është deklaruar që ka pasur vetëm katër ligje të miratuara në këtë mënyrë, çka paraqet një sinjal serioz për parandalim të keqpërdorimit të flamurit të BE-së, e cila ishte një ndër vërejtjet kryesore të Raportit për Maqedoninë e Veriut nga Komisioni Europian.
Sa i përket funksionit mbikëqyrës të Kuvendit në këtë periudhë, në raport është treguar se seancat e pyetjeve të deputetëve të opozitës janë një risi e këtij mandati, ku janë realizuar 7 seanca të tilla. Ndërkaq, sipas këtij raporti, janë trajtuar 12 interpelanca, krahasuar me 8 në gjithë mandatin e kaluar, me çka dëshmohet një dyfishim i aktivitetit parlamentar në këtë drejtim – pra, për një vit ka pasur gati 50% më tepër interpelanca se në gjithë mandatin e kaluar. Kjo është cilësuar si përmirësim i rolit mbikëqyrës të Kuvendit. Po ashtu, për një vit janë realizuar dy debate mbikëqyrëse, baraz me numrin e debateve mbikëqyrëse gjatë një mandatit të plotë katërvjeçar të përbërjes së kaluar.
Kujtojmë se rreth një vit më parë, me 28 maj 2024, Afrim Gashi nga rradhët e Alternativës, pjesë e Koalicionit VLEN, u zgjodh Kryetar i Kuvendit, me 76 vota „PËR“, 6 „KUNDËR“ dhe asnjë „I PËRMBAJTUR”./Ora24.tv