Seanca gjyqësore ndaj ish-Presidentit Ilir Meta është shtyrë për në datën 26 qershor, pas kërkesës së avokatit të tij Kujtim Cakrani për t’u njohur me aktet e reja të sjella nga prokuroria.
Në një deklaratë për mediat, avokati Cakrani hodhi poshtë raportimet që qarkulluan gjatë ditës se SPAK ka zbuluar një tjetër episod të dyshuar korrupsioni të lidhur me çiftin Meta-Kryemadhi. Ai sqaroi se karta bankare e përmendur në hetime nuk është në emër të Metës dhe se ish-Presidenti nuk zotëron asnjë pasuri.
“Sot prokurori ka bërë të ditur se akuza për lobim nuk qëndron më. Seanca u shty me kërkesë time, pasi dua të shqyrtoj materialet e reja. Dua të theksoj se unë përfaqësoj zotin Meta, jo zonjën Kryemadhi dhe as ndonjë tjetër familjar.
Kartën e ka përdorur ish-bashkëshortja e zotit Meta, nuk ka dalë asnjë llogari bankare në emër të zotit Meta. Pasuritë e ish presidentit Meta janë zero. Të shkojnë në hënë se mbase gjejnë ndonjë pasuri.
Nga kërkimet që ka bërë SPAK ka kërkuar në Shqipëri, në BE, SHBA ka bërë letër porosi dhe Meta nuk posedon as pasuri të luajtshme as të paluajtshme. Po bëhet një inkuizicion ndaj presidentit të PL, për këtë duhet të shqetësoheni, ka 8 muaj në paraburgim”, tha ai.
Ai theksoi se nga hetimet e kryera nga SPAK në Shqipëri, BE dhe SHBA përmes letër-porosive, nuk është gjetur asnjë pasuri në emër të Ilir Metës.
“Zoti Meta nuk ka karta bankare, nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme. Le të kërkojnë edhe në Hënë, nuk do të gjejnë gjë. Po bëhet një inkuizicion politik ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, i cili qëndron prej tetë muajsh në paraburgim” u shpreh avokati.