Pas vitesh zvarritjeje dhe neglizhence nga qeveritë e kaluara, VLEN njofton se Kuvendi ka miratuar ndryshimet e rëndësishme në Ligjin për Administratën Shtetërore, duke i hapur rrugë zgjidhjes së shumëpritur për kompensimin financiar të punonjësve të Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve.
Ky hap i shumëpritur është rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të VLEN-it dhe vullnetit të shumicës parlamentare, duke e kthyer në prioritet një çështje të harruar për vite të tëra.
Pas stabilizimit të situatës financiare, VLEN paralajmëron nisjen e procedurave për ngritjen e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve në një nivel më të lartë institucional, ku edhe Inspektorati i Gjuhëve do të integrohet, për të rritur efikasitetin dhe seriozitetin në zbatimin e ligjit.
Për më tepër, ndryshimet ligjore sjellin edhe një risi: Inspektorati do të ketë kompetencë për shqiptimin e gjobave, duke i dhënë fund simbolikës pa zbatueshmëri dhe duke vendosur bazën për një mbikëqyrje efektive të përdorimit të gjuhës shqipe.
VLEN garanton se do të vazhdojë me përkushtim të fuqizojë përdorimin e gjuhës shqipe në çdo nivel dhe të sigurojë barazi të vërtetë gjuhësore për të gjithë qytetarët.