Gostivari në duart e çiftit Snopçe, Taravari shndërron ASH-në në pronë familjare

Në një zhvillim që po trondit themelet e Aleancës për Shqiptarët në Gostivar, burime të afërta me strukturat partiake bëjnë të ditur për një klimë të rëndë pakënaqësie dhe ndarje të thellë në radhët e partisë. Në qendër të vëmendjes: favorizimi i hapur nga Arben Taravari ndaj shokut të tij të klasës, Halil Snopçe dhe bashkëshortes së tij, Aslian Snopçe.

Halil Snopçe mban mandatin e dytë si deputet, ndërsa Aslian Snopçe drejton sektorin për Veprimtari Publike në Komunën e Gostivarit dy pozita kyçe të konsoliduara në një familje të vetme. Burime nga brenda ASH-së flasin për një “kapje të pushtetit lokal” nga një rreth i ngushtë personal i Taravarit, ku vendimet kryesore kalojnë vetëm përmes “dyerve të familjes Snopçe”. Sipas informacioneve që po qarkullojnë në qarqet politike lokale, kjo dyshe ka marrë një fuqi disproporcionale në drejtimin dhe shpërndarjen e burimeve komunale, duke u bërë faktikisht “çifti i artë” i pushtetit lokal. Ndërkohë, figura të tjera të vjetra të ASH-së, të cilët dikur ishin shtylla të partisë në këtë zonë, janë lënë jashtë skemave të vendimmarrjes – në një hije politike që po zgjerohet çdo ditë e më shumë.

Pesa tjetër e strukturave të ASH-së në Gostivar përfshirë figurat që ndërtuan partinë me mund dhe sakrificë është lënë në hije, pa rol, pa zë, dhe pa ndikim. Një ndër figurat kyçe Njomza Hasani e cila është nga themelimi i ASH-së.

“ASH-ja në Gostivar është reduktuar në një instrument për interesa personale dhe miqësore,” thotë një anëtar i zhgënjyer, duke shtuar se “shumë anëtarë ndihen të përjashtuar dhe të tradhtuar”.

Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje serioze mbi drejtimin që po merr ASH në nivel lokal, ndërkohë që zërat për një krizë të brendshme po bëhen gjithnjë e më të fortë.

A po shndërrohet Komuna e Gostivarit në pronë private të disa individëve?

Ku është transparenca dhe barazia për të cilën ASH pretendon?

A do të ketë reagim nga qendra apo gjithçka është e heshtur me bekimin e lartë?

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë llogaridhënie, skenat që po vijnë nga Gostivari mund të jenë fillimi i fundit për një pjesë të ASH-së që tashmë është shndërruar në… hije.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu