Institucionet po ndërmarrin aktivitete për harmonizimin e statusit të Inspektoratit me ndryshimet e fundit ligjore të cilat u votuan në Kuvend, me qëllim të zhbllokimit të punës së Inspektoratit dhe lëshimin e rrogave të cilët punëtorët 6 muaj nuk i kanë marrë. Sipas ndryshimeve të fundit, Inspektoratit i hiqet cilësia e personit juridik, ndërsa vendoset nën kompetencë të drejtpërdrejtë të ministrisë së Drejtësisë.
Në përputhje më këto ndryshime, Inspektorati duhet t’i ndryshojë vulat, të punësuarit të marrin vendime të reja të punës, ndërsa do të duhet të bëhet dhe përshtatja e të gjithë dokumentacioneve të administratës, konkretisht sektorit juridik të këtij inspektorati dhe funksionimit të tij me sektorin tjetër juridik të Ministrisë. Po ashtu, në kuadër të ligjit pritet të zgjidhen edhe detajet e furnizimeve të inspektoratit, të cilat do të kërkojnë nënshkrimin e ministrit dhe jo drejtorit sikurse paraprakisht.
Sipas dinamikës së harmonizimit, pritet që rrogat e prapambetura të lëshohen brenda një muaji.
Kriza me inspektoratin zgjati gati 6 muaj duke u pamundësuar punonjësve rrogat dhe sigurimin shëndetësor derisa u arrit Badenteri dhe miratimi i ligjit në kuvend. BDI-ja pavarësisht se më herët kishte miratuar ligjin për riorganizimin e qeverisë ku parashikohej që inspektorati të hynte në kuadër të ministrisë së Drejtësisë, e mbante të bllokuar atë për shkak se ky institucion humbiste statusin juridik. Megjithatë në një deklaratë të re për mediat, VLEN garanton se statusi i Agjencisë dhe Inspektoratit do të ndryshojë sërish në të ardhmen, drejt ngritjes së tyre në nivel më të lartë institucional, përfshi edhe të drejtën e shqiptimit të gjobave.
“Pas stabilizimit të kësaj situate, VLEN do të nisë menjëherë procedurat për ngritjen e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve në një nivel më të lartë institucional, me qëllim që më pas edhe Inspektorati i Gjuhëve t’i bashkëngjitet këtij institucioni të rëndësishëm. Ndryshimet e miratuara, përveçse mundësojnë funksionalizimin financiar të Inspektoratit, përfshijnë edhe një marrëveshje politike të rëndësishme që i jep Inspektoratit të Gjuhëve të drejtën për shqiptimin e gjobave, një kompetencë kyçe për rritjen e efikasitetit dhe zbatimin konkret të Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, tha Nurxhan Asanovska, VLEN.
Nga Vlen thonë se do të angazhohen për avancimin e pozitës së gjuhës shqipe si dhe për garantim për të drejta të barabarta gjuhësore për të gjithë qytetarët. /Alsat.mk