VLEN: BDI vazhdon të heshtë, për çfarë pazari urdhëruan fshirjen e mërgatës nga regjistrimi?

VLEN akuzon BDI-në se ka urdhëruar fshirjen e mërgatës shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021 përmes shpikjes së kategorisë “jorezident”, duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. Sipas VLEN, kjo është një tradhti politike dhe pazar i dëmshëm që përjashtoi mërgatën nga të dhënat zyrtare dhe përfaqësimi kombëtar. Ata kërkojnë përgjegjësi penale për këtë vendim dhe e cilësojnë si njollë të zezë në historinë e BDI-së.

“Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen në rezident dhe jorezident, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk tregon se kush e mori vendimin që të fshihet mërgata shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021? Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik?

Koalicioni VLEN do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve “jorezidentë”, duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Ata nënvizojnë se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm.

“Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të siguroj një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët. Tradhtia që BDI i bëri mërgatës sonë nuk do të harrohet asnjëherë. Ajo është njollë e zezë në ndërgjegjen politike të kësaj partie. Por tani më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është kthyer dinjiteti i çdo shqiptari. Kjo është një fitore e së vërtetës dhe e drejtës. Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet pjesë legjitime e vendimmarrjes kombëtare”, thonë nga VLEN.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu