Nga: Kim Mehmeti
Përfaqësues të VLEN’it me të drejtë thonë se BDI’ja shiti gjuhën.
Jo vetëm gjuhën. BDI shiti gjithçka që mund të shitej në tregun politik ku shqiptarët shisnin e maqedonasit blinin, me çka shumë nga drejtuesit e saj u bënë milionerë.
Por përderisa BDI’ja shumëçka shiti, këta të VLEN’it gjitha i japin falas. Mbase pse pala maqedonase nuk i trajton as si shitës të denjë, por si hajdut që nuk guxojnë ta çelin gojën as kur sunduesi ua përbuzë popullin.
Përfaqësuesi e VLEN’it thonë se koha e BDI’së ka mbaruar, se populli është zgjuar, se shqiptarët nuk mashtrohen më!
Është e vërtet, koha e BDI’së mbaroi dhe ky popull u zgjua i trishtuar kur pa atë që nuk mund ta imagjinonte: se paska edhe më keq se t’i shesësh interesat kombëtare – ato t’ia japësh palës maqedonase falas.
Dhe ja, shqiptarët sërish u mashtruan nga VLEN’i thuajse më keq se sa nga BDI’ja. Në mos për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se përderisa shisnin, BDI’stët fshiheshin dhe heshtnin, e këta të VLEN’it i dhanë të gjitha falas duke u mburrur dhe duke e mbrojtur plaçkitësin maqedonase nga shqiptarët.
Sidoqoftë tani duhet ndryshuar rrëfimin për babën i cili, kur i biri e pyet se çka shesin politikanët shqiptarë që kaq shpejtë pasurohen, i përgjigjet: biri im, ata shesin më të vlefshmen që kemi – interesat e popullit.
Këtij rrëfimi tani duhet shtuar risin që e solli VLEN’i: Por biri im, ne kemi edhe abdallenjë të cilët vetëm për një post ministri i flijojnë gjitha interesat kombëtare.