Gjermania e ashpër me Serbinë: Pastroni “para derës” , pastaj flisni për Kosovën

Ambasada e Gjermanisë i ka kthyer përgjigje ankesës së drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç, duke theksuar se zbutja e tensioneve duhet të vlejë njësoj për të dyja palët, sikurse për Kosovën, ashtu edhe Serbinë. Petkoviçi ka shprehur pakënaqësi pas vendosjes së gurëthemeleve nga autoritetet kosovare për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke akuzuar Kosovën për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Por, krahas thirrjes për përmbajtje nga veprimet e njëanshme drejtuar Qeverisë së Kosovës, ambasada gjermane në Prishtinë ka përmendur dështimin e Serbisë për t’i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023.

“Nuk është Qeveria e Kosovës ajo që është duke dështuar në zbatimin e masave ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, ka pranuar përgjegjësinë, por vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi, duke minuar përpjekjet për ta nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”. “Në gjermanisht ne themi ‘Erstmal vor der eigenen hausturh kehren’ – së pari pastroni para derës suaj. Duke e kthyer në situatën aktuale, ky proverb na kujton se duhet ta rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortoni vazhdimisht Kosovën për vendimet e saja”, ka shtuar ambasada gjermane në përgjigjen e saj drejtuar Petkoviçit. Pas vendosjes së gurëthemeleve për ndërtimin e dy urave anësore në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë nga Qeveria në detyrë e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se ka protestuar pranë shteteve perëndimore, duke pretenduar se kjo nënkupton “eksod përfundimtar” për serbët e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu