Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një intervistë të dhënë sonte për edicionin qendror të lajmeve në TV Sitel, bëri publike detaje të reja në lidhje me incidentin e ndodhur sot në Çair, ku kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, pretendon se është sulmuar fizikisht dhe verbalisht gjatë një inspektimi në një ndërtesë pa leje, përcjell INA.
Sipas ministrit, personi që Arsovska e ka identifikuar si sulmues është ndaluar dhe mbajtur në stacionin policor, bashkë me edhe dy persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ofendime verbale ndaj saj. Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori publik, i cili ka dhënë udhëzime për veprime të mëtejshme.
Megjithatë, Toshkovski ngriti dyshime serioze mbi versionin e ngjarjes që ka dhënë Arsovska:
“Duhet t’i presim të gjitha faktet. Mos del që ai që po paraqitet si viktimë, është në të vërtetë iniciatori i përplasjes fizike”, theksoi Toshovski.
Ai shtoi se policia ka ndërhyrë menjëherë pas thirrjes, por:
“Zonja kryetare nuk ka ardhur menjëherë në stacion. Kur më në fund mbërriti, nuk e ka firmosur procesverbalin. Ndërkohë publikonte në rrjete sociale, ndërsa në spital iu konstatua vetëm një lëndim i lehtë trupor – një skuqje në këmbën e majtë”, theksoi ministri Toshovski.
Ai përmendi edhe një element tjetër të dyshimtë – një video nga një kamerë sigurie, e publikuar në disa portale, në të cilën shihet një grua që godet me shqelm një burrë. Megjithëse pamjet nuk janë të qarta, disa media spekulojnë se gruaja është pikërisht Arsovska. Ministri konfirmoi se vetë nuk e ka parë videon, por se ka informacion se incidenti mund të mos jetë ashtu siç është prezantuar në publik.
“Personi që ajo e ka përmendur është ndaluar në polici, bashkë me dy të tjerë. Por kur filluam përpilimin e procesverbalit, ajo u ngrit dhe u largua pa e firmosur. Imagjinoni – pas gjithë kësaj, as nuk firmos dëshminë,” deklaroi Toshkovski.
Ai theksoi se, nëse rezulton se ndonjë zyrtar policor ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme, do të merret masa ndaj tyre, por paralajmëroi edhe se e vërteta mund të jetë ndryshe nga ajo që është thënë deri tani.
Ministri shprehu keqardhje për rastin, duke theksuar se çdo sulm ndaj një gruaje, sidomos ndaj një zyrtare të zgjedhur, duhet të dënohet. Megjithatë, shtoi:
“Mos rezulton që i gjithë ky skenar është planifikuar mirë – një shfaqje politike për interesat e dikujt. Supozoj, nuk po deklaroj me siguri.”
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa publiku pret me interes publikimin e të gjitha pamjeve dhe përfundimeve zyrtare. Deri tani, Arsovska nuk ka dhënë deklaratë të re pas intervistës së ministrit.