Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Bruksel mori pjesë në Forumin e nivelit të lartë për zgjerim, të titulluar “Ndërtimi gjithëpërfshirës i të ardhmes në BE-në e zgjeruar: Roli i dialogut social, shoqërisë civile dhe përfshirja e të rinjve”, nën organizimin e Komitetit Ekonomik-Social Evropian (EESC). Në tryezën e rrumbullakët do të marrin pjesë Kryetari i EESC-së, Oliver Ropke, Ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Majda Gorçeviq dhe Sekretari shtetëror për Bashkimin Evropian të Spanjës, Fernando Sampedro.
MÇE Murtezani theksoi se procesi i zgjerimit nuk është vetëm mjet gjeopolitik, por hapësirë për ambicie dhe vlera të përbashkëta. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar për avancimin e dialogut social, përforcimin e shoqërisë civile dhe përfshirjen e të rinjve në krijimin e politikave, si parakushte për të ardhme evropiane të qëndrueshme dhe demokratike.
Ministri theksoi se Qeveria së fundmi miratoi Strategjinë për bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile dhe theksoi shembuj konkret të partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile, duke e theksuar rolin e tyre në rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së procesit reformues. Ai nënvizoi se për të rinjtë, Evropa nuk është ide e largët, por realitet i përditshëm që kërkon drejtësi, inovacion dhe solidaritet.
Pas përfundimit të tryezës së rrumbullakët, u mbajt konferencë e përbashkët për shtyp e ministrave dhe Kryetarit të EESC-së, në të cilën Murtezani përsëriti mesazhin se zgjerimi duhet të mbetet proces i konsistent i bazuar në vlera dhe kriteret e Kopenhagës.
Në vazhdim teksti i plotë i deklaratës së MÇE Murtezanit në konferencë për shtyp:
Ju faleminderit, kryetar Ropke, mirënjohjet e mia të sinqerta për Komitetin Ekonomik -Social Evropian për këtë nismë të rëndësishme. Udhëheqja juaj në kuadër të projekteve për vendet kandidate për zgjerim po jep shtytje të fuqishme për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
Diskutimet e sotme edhe një herë konfirmuan se dialogu, shoqëria civile dhe të rinjtë nuk janë privilegj, por shtylla thelbësore të Evropës demokratike në procesin e zgjerimit. Maqedonia e Veriut me vendosmëri po vazhdon të hapëroj në rrugën drejt integrimit evropian. Biseda e sotme sërish konfirmoi të vërtetën e dukshme, por shpesh të anashkaluar: se procesi i zgjerimit nuk është vetëm mjet gjeopolitik, por edhe detyrim moral. Detyrim ndaj demokracisë, ndaj dialogut dhe ndaj dinjitetit të çdo qytetari evropian, pavarësisht kufijve, historisë apo gjuhës që flet.
Maqedonia e Veriut kaloi rrugë të gjatë, rrugë e shënuar me këmbëngulje, reforma dhe besim të palëkundur se Bashkimi Evropian është, mbi të gjitha, union vlerash. Megjithatë, ekzistojnë momente kur kujtojmë se parimet duhet të mbrohen me të njëjtën vendosmëri si edhe kufijtë. Zgjerimi nuk duhet të bëhet peng i politikës së identitetit, por në mënyrë konsistente duhet ti përmbahet kritereve të Kopenhagës: të qarta, të drejta dhe të zbatueshme për të gjithë.
Do të vazhdojmë të japim kontributin tonë duke i zbatuar reformat, duke ndërtuar institucione dhe duke nxitur dialogun social. Njëkohësisht, fuqishëm jemi të bindur se Bashkimi Evropian në të cilin besojmë – ajo e ndërtuar mbi drejtësi, respekt dhe gjithëpërfshirje – gjithashtu do të vazhdojë të kontribuojë drejt të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.