VLEN apo BDI, kush bëri më shumë punësime?! Izet Mexhiti nga VLEN thotë se BDI-ja në zenitin e saj ka bërë maksimum 600 punësime, ndërsa thotë se VLEN-i ka bërë 1,000 punësime. Ndërkaq, Bujar Osmani nga BDI thotë se anulimi i mekanizmit të Balancuesit ka shndërruar shqiptarët në zero gjatë përfaqësimit nëpër institucione.
“Le të zgjedhin vitin, në 20 vite kur e kanë pasur zenitin e punësimeve të shqiptarëve dhe unë kam qenë brenda aty dhe e di që nuk e kanë kaluar asnjëherë më shumë se 500 punësime brenda vitit. Unë i sfidoj pra, hajde ta matim me vitin që e kanë më të suksesshëm edhe këtë vit që është VLEN-i. Unë ju them që për momentin VLEN-i ka afër 1 mijë punësime të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike, ndërsa ata në vitin më të suksesshëm nuk e kanë kaluar 500-600 shqiptarë. Mirëpo nuk ka përfunduar. VLEN-i pretendon që brenda vitit do të punësojë dyfishin e kësaj që e kemi bërë”, tha Mexhiti për TV21.
“Shqiptarët në punësimet publike dhe shtetërore janë shndërruar në zero si rezultat i anulimit të Balancuesit. Pasojat e Balancuesit ne do t’i shohim në vitet dhe dekadat që vijnë. Eliminimi, anulimi i Balancuesit në fakt ka treguar arsyen e vërtetës e pse e kemi sjell ne Balancuesin, për shkak se këtu ka një tendencë për të përjashtuar shqiptarët nga institucionet. Ato kanë nisur nga përjashtimet në institucione kritike , prej institucioneve të sigurisë, pastaj edhe në institucione të tjera”, tha mes tjerash Osmani për TV21.