Pritjet dhe kolonat e gjata në vendkalimin kufitar Qafë Thanë vazhdojnë të jenë të pranishme. Tanimë me sezonin turistik, edhe pse po funksionon sistemi një pikë kalimi apo “one stop” çdo ditë ka pritje të gjata dhe kjo tollovi sidomos krijohet gjatë kthimit për në Maqedoninë e Veriut.
Mbrëmnë portali Puls raportoi se dy kolona të gjata me mbi 150 automjete tashmë po qëndrojnë në vend për më shumë se 40 minuta në pikën kufitare të Qafë-Thanës, në përpjekje për të hyrë në Maqedoninë e Veriut.
“Udhëtarët, të lodhur dhe të irrituar, vazhdimisht biejnë boritë – si të ishin në dasmë, e jo në kufi – për të shprehur pakënaqësinë e tyre për pritjet e gjata. Situata në terren është kaotike: nuk funksionon asnjë ndriçim në pikën kufitare, asnjë llambë nuk punon, duke e bërë skenën edhe më të pabesueshme. “Sikur të ishim futur në një episod të ‘Zonës së Muzgët’,” komentoi me ironi një prej shoferëve të bllokuar në kolonë.
Reagojnë edhe udhëtarët që po kthehen nga pushimet dhe po përpiqen të hyjnë në vendin e tyre. Ata theksojnë se kontrolli kufitar nga ana e policisë së Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht i ngadalshëm, duke bërë që kolonat të mos lëvizin për një kohë të gjatë. Shumë prej tyre thonë se kanë pritur më shumë se një orë pa asnjë informacion apo organizim nga autoritetet.
“Si është e mundur që për të hyrë në vendin tonë të na duhet të presim më shumë se një orë në errësirë totale?”, pyet një nga udhëtarët.
Ndërkohë që sezoni turistik është në kulmin e tij, kapacitetet dhe organizimi i shërbimeve kufitare duket se nuk i përgjigjen fluksit të udhëtarëve.