Me zjarre po përballen edhe shumë vende të rajonit. Bashkimi Evropian i është përgjigjur kërkesës së Shqipërisë për ndihmë duke dërguar një avion nga Italia për shuarjen e flakëve në jug, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë. Ndërkohë autoritetet vendore po bëjnë përpjekjet maksimale për shuarjen e zjarrit në rajonin e Gjirokastrës, si dhe pranë Bulqizës.
Ndërkohë në Kosovë sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent numri i zjarreve ka rënë ndjeshëm. Ndërsa pasditen e djeshme, situata ishte tejet e rënduar. Në dy ditët e fundit kishte mbi 100 vatra zjarri.
Nga ana tjetër në Bullgari janë rreth 240 zjarre. Sipas autoriteteve 95% e zjarreve janë shkaktuar nga pakujdesia. Shumë vatra zjarri kanë kaluar edhe jashtë kufijve bullgarë. Kryeministri bullgar Rosen Zhelazkov ka njoftuar se mekanizmi evropian është aktivizuar dhe solidariteti evropian po funksionon.
Ndërkohë situata është e rëndë edhe në Turqi, ku zjarri pyjor u përhap me shpejtësi të madhe për shkak të thatësirës dhe erërave të fuqishme. Flakët mbërritën afër zonave të banuara në provincën perëndimore Bursa, ku u evakuuan mbi 1300 persona. Sipas autoriteteve mbi 500 shpëtimtarë janë në terren. Zjarrfikësit po luftojnë edhe një zjarr tjetër tejet të madh në provincën Karabuk. Autoritetet thonë se 14 fshatra në këtë zonë janë evakuuar.
Edhe Greqia po lufton me pesë zjarre të mëdha në të gjithë vendin, me autoritetet që po evakuojnë banorët në një rajon të goditur rëndë vetëm 30 kilometra në veri të kryeqytetit Athinë. Era e drurit të djegur u përhap deri në qendër të Athinës, ndërsa Greqia kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian për të luftuar flakët që po përhapeshin. Në Atikë, rajoni ku ndodhet Athina, një zjarr që filloi të shtunën u përhap me shpejtësi nëpër rajone të tjera, duke i detyruar banorët të largohen. Pesë alarme emergjence janë dërguar nëpërmjet sistemit 112 të Greqisë duke u kërkuar njerëzve të largohen nga fshatra të shumta. Erërat e forta po i bëjnë të vështira përpjekjet për shuarjen e zjarreve./Alsat.mk