“Kush ka dëgjuar që dikush të shkojë në opozitë për shkak të presioneve? Ato janë spekulime”, deklaron kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, lidhur me largimin e tij nga qeveria dhe nga koalicioni VLEN në prag të zgjedhjeve lokale.
“Nuk ka pasur kurrë presione as nga pala tjetër, kurrë në jetën time nuk kam rënë nën presione.
Në vitin 2017 në Gostivar kam pasur bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në në pushtetin lokal dhe atëherë kam pasur presione nga pushteti qendror. Është pushteti qendror ai që mund të bëjë presione, jo opozita. E kur të vijë momenti që të bie nën presion, nuk do të merrem më me politikë”, tha Taravari në emisionin “Vesti Plus” në Kanal 5.
Sa i përket zgjedhjeve lokale, Taravari thotë se janë të mundshme çdo lloj kombinimesh dhe se do të bashkëpunojë edhe me rivalët e dikurshëm, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela.
Ai shpreson që në vjeshtë, së bashku me Frontin Evropian në bllokun shqiptar, të fitojnë më shumë se dy me një në krahasim me VLEN-in dhe thekson se nëse raporti është më i ulët, atëherë nuk ka as nevojë e as logjikë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.