Që nga fillimi i mandatit të përbërjes aktuale parlamentare, 65 deputetë kanë marrë kompensim për shpenzime udhëtimi në një shumë totale prej 18,6 milionë denarë, që është rreth 303.320 euro. Shuma më e lartë e paguar për një deputet ka arritur rreth 13.200 euro, që mesatarisht i bie nga 1.000 euro në muaj.
Sipas të dhënave që “Radio Evropa e Lirë” i ka marrë përmes Ligjit për qasje të lirë në informata me karakter publik, fondet e paguara i përkasin periudhës nga 28 maji 2024 deri më 30 qershor 2025. Nga shuma totale, 26.717 euro janë për pagesa të rrugëve (pagesa rrugore – pikat e pagesës), ndërsa 276.603 euro për karburant (naftë/benzinë), përcjell INA.
Shpenzimet më të mëdha i marrin deputetët që banojnë më larg nga Shkupi.
Në krye të listës është Kire Bozhinovski nga VMRO-DPMNE nga Resnja, i cili ka marrë rreth 13.200 euro. Pas tij vjen bashkëpartiaku i tij nga Prilepi, Petar Risteski, me rreth 12.000 euro.
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku nga Struga, ka marrë rreth 10.800 euro, ndërsa deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski, po ashtu nga Struga, rreth 10.000 euro.
Përveç kësaj, nëntë deputetë kanë përfituar të drejtën për të marrë me qira banesë në Shkup, për çka janë paguar edhe 44.522 euro shtesë, me qiranë më të lartë mujore që ka arritur 400 euro./ina