Mickoski paralajmëron shportën shkollore! Masa kundër çmimeve të larta dhe dënime për tregtarët e papërgjegjshëm

Qeveria, para shtatorit, do të prezantojë të ashtuquajturën “shportë shkollore” që do të përfshijë materialet shkollore. Aktualisht, institucionet po ndjekin çmimet e këtyre produkteve dhe nëse vërehet një rritje e madhe dhe e shpejtë e çmimeve gjatë kësaj periudhe, qeveria do të reagojë ashpër – paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski.

“Po shqyrtojmë edhe mundësitë ligjore se si të sanksionohen subjektet që do të vendosin të sillen në mënyrë spekulative, siç do ta quaja”, deklaroi Mickoski.

Përndryshe, së shpejti pritet të shpallen edhe masat kundër çmimeve të larta në markete. Por sipas Mickoskit, masat do të jenë të ndryshme nga ato të mëparshmet. Në lojë janë disa koncepte dhe, me gjasë, nuk do të ketë një masë të unifikuar, por disa masa që do të synojnë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në inflacion. Këto masa po përgatiten në bashkëpunim me komunitetin akademik dhe në to po marrin pjesë profesorë universitarë.

“Shumë shpejt do të dalim me disa modele të cilat në segmente të caktuara kanë qenë të suksesshme, dhe kësaj here duam një skenar të plotë që mendojmë se do të stabilizojë çmimet e produkteve në markete”, tha Mickoski.

Mickoski theksoi se gjatë dy muajve të fundit, Qeveria i ka ndjekur çmimet dhe ka bërë analiza se cilët markete, papritur dhe sa i kanë rritur çmimet e produkteve pas përfundimit të masës së fundit për ngrirjen e marzheve. Analiza do t’u prezantohet këtyre marketeve dhe do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore kundër tyre për sjellje të pahijshme.

Ndryshe, paralajmërimi për masa gjithëpërfshirëse do të thotë se ato do të duhet të adresojnë edhe inflacionin bazë, i cili është i lartë për një periudhë të gjatë dhe për uljen e tij nevojitet veprim i koordinuar i politikës monetare dhe fiskale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu