ASh Taravari me program për përkrahjen e familjes tradicionale

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka dalë me njoftim se në Platformën Kombëtare, si pikë e 4 e saj do të jetë edhe përkrahja e familjes, asaj tradicionale, njofton Top24

“Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe bashkëkombës shqiptarë,

Shpalosja e Pikës 4 të Platformës Kombëtare:
“Politikat Sociale dhe Familja – Shtylla e qëndrueshmërisë sonë kombëtare”

Në kuadër të angazhimit tonë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, dinjitoze dhe me identitet të fortë kombëtar, Aleanca për Shqiptarët vendos në themel të platformës sonë forcimin e politikave sociale dhe mbrojtjen e familjes shqiptare.
Familja tradicionale shqiptare është më shumë se një strukturë shoqërore, ajo është institucioni i parë i trashëgimisë kombëtare, ruajtës i gjuhës, zakoneve, fesë dhe ndërgjegjes sonë historike. Prandaj, çdo politikë sociale duhet të ndërtohet mbi këtë realitet dhe të synojë forcimin e kësaj strukture.

Në këtë frymë, Aleanca për Shqiptarët angazhohet për:
• Përkrahjen e familjes tradicionale si bërthamë natyrore e shoqërisë dhe kombit, përmes politikave që lehtësojnë jetën dhe stabilitetin ekonomik të saj.
• Nxitjen e lindshmërisë përmes subvencioneve për çdo fëmijë të lindur, mbështetjes për prindërit e rinj dhe ndërtimit të një rrjeti të gjerë shërbimesh për fëmijët e moshës së re.
• Mbështetje të posaçme për nënat vetushqyese, duke garantuar qasje të drejtë në kujdes shëndetësor, përkujdesje sociale dhe punësim dinjitoz.
• Politika të posaçme për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, në nder të sakrificës që kanë dhënë për kombin dhe lirinë tonë.
• Ndihmë sociale të drejtë dhe të barabartë për shtresat më të ndjeshme, duke përfshirë pensionistët, nënat e reja, fëmijët në nevojë dhe qytetarët pa përkujdesje familjare.
• Një politikë sociale të bazuar në parimin e dinjitetit njerëzor, përgjegjësisë individuale dhe solidaritetit kombëtar, që dallon ndihmën ndaj nevojtarëve nga nxitja e varësisë sociale.

Këto nuk janë vetëm premtime elektorale, por pjesë përbërëse e programit tonë qeverisës dhe vizionit tonë për një shoqëri shqiptare të fortë, të drejtë dhe të rrënjosur në vlera.
Këto politika do të konkretizohen përmes një programi të posaçëm për mbrojtjen e familjes shqiptare, që do të përfshijë bashkëpunimin me ekspertë socialë, institucione shtetërore dhe përfaqësues të komuniteteve.

Aleanca për Shqiptarët qëndron përkrah çdo nëne, çdo fëmije dhe çdo familjeje shqiptare që lufton çdo ditë për dinjitet, edukim të mirëfilltë dhe një të ardhme më të mirë.
Sepse pa familje të forta, nuk mund të kemi një komb të fortë”, thonë nga ASh Taravari.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu