Qendra Klinike “Nënë Tereza” me parking të mençur, Aliu: Kapaciteti për parkim do të dyfishohet

Kaosit në parkingun e Qendrës Klinikë në Shkup duket se i është gjetur zgjidhje. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu pohon se deri nesër më së voni do të nënshkruhet marrëveshje me Ndërmarrjen publike të parkingjeve të Qytetit, për të bërë kështu një nga parkingjet më moderne në kryeqytet dhe të digjitalizuar në tërësi, ku do të ketë monitorim 24h dhe 300 vende parkimi.

“Do të jetë parking që nuk ka në nivel të shtetit ashtu, krejtësisht i digjitalizuar, parking i mençur, i cili nga momenti kur do të hyni brenda deri sa të dilni, do të ju ndjek në mënyrë automatike, digjitale dhe do të komunikojë me veturën. Në parking do të ketë hyrje të veçanta sidomos në Kardiologji, për pacientët që kanë nevojë për këtë repart e dimë se aspekti kohor është shumë i rëndësishëm, daljet do të jenë të njëjta. Aspekti i kapacitetit të veturave do të dyfishohet për shkak të optimizimit hapësinorë të vendit të parkingut”, tha Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.

Ende nuk dihet çmimi i saktë i parkimit në Qendrën Klinike, por ajo që dihet është se vizitorët do të ndahen në katër kategori.

“Çmimet në parking do të jenë të ndryshme – çmime për pacientë që kanë probleme onkologjike do të jenë falas, pra mund të shfrytëzojnë parkingun pa para, për pacientët jashtë kësaj kategorie do të ketë një çmim tjetër, çmimet për të punësuarit brenda në kampuse tjera, çmime të treta dhe kategoria e katërt do të jetë për qytetarë, të cilët vijnë për arsye tjera, si për vizitë e tjera”, shtoi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.

Përndryshe parkingu i Qendrës Klinike tani menaxhohet nga Ndërmarrja Publike parkingjet e Qytetit të Shkupit, por vendet janë të pamjaftueshme për kapacitetet dhe nevojat e qendrës klinike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu