ASH: Pozita e zëvendësministrit e zbrazët, shqiptarët të lënë pas dore në Mbrojtje

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar qeverinë dhe koalicionin VLEN për neglizhencë ndaj shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi edhe pas katër muajsh prej daljes së ASH-së nga qeveria, posti i zëvendësministrit vazhdon të mbetet vakant.

Sipas kësaj partie, mosplotësimi i vendit ka lënë hapësirë për diskriminim të thellë ndaj shqiptarëve, ndërsa ministri aktual nga radhët e VMRO-DPMNE-së po ndjek një agjendë antishqiptare. ASH thotë se gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve, prej të cilave vetëm 14 i janë dhënë shqiptarëve.

“Ky është një tregues i qartë se komuniteti shqiptar është i lënë pas dore dhe nuk ka kush ta mbrojë interesin e tij”, thuhet në reagimin e Aleancës.

ASH ngre pyetjen nëse VLEN e ka humbur këtë pozicion dhe nëse do të emërohet së shpejti ndonjë kuadër maqedonas, duke përmendur emrin e Petar Bogojevskit, i cili në të kaluarën ka quajtur ushtarët e UÇK-së “banda terroriste”. Po ashtu, partia rikujton figurën e Arben Fetait, dikur i përfolur si përfaqësues i ASH-së, i cili sipas saj ka humbur dhjetëra pozicione në qeveri.

“Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi dhe transparencë nga Qeveria dhe VLEN për diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Është e papranueshme që një shtet anëtar i NATO-s të lejojë anomali të tilla në institucionet e sigurisë”, përfundon reagimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu