Izraeli nis ofensivën tokësore në Gaza, 60 mijë rezervistë thirren në shërbim

Palestinezët po largohen masivisht nga qyteti i Gazës, ndërsa ushtria izraelite ka filluar fazën e parë të ofensivës tokësore. Izraeli ka thirrur 60 mijë rezervistë për të liruar ushtarët aktivë që do të marrin pjesë në operacion.

Palestinezët nga pjesë të qytetit të Gazës po largohen masivisht, pasi ushtria izraelite ka nisur fazën e parë të ofensivës së planifikuar tokësore, njoftuan autoritetet lokale. Forcat izraelite kanë vendosur pozicione në periferi të qytetit, i cili është shtëpi e mbi një milion palestinezëve, pas bombardimeve të ashpra artilerike ditët e fundit.

Në lagjet Zeitun dhe Sabra, banorët tashmë po tërhiqen drejt pjesës veriperëndimore të qytetit. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se trupat tashmë po veprojnë në Zeitun dhe Xhabalia, duke përgatitur ofensivën e miratuar nga ministri i mbrojtjes Izrael Kac, e quajtur “Qerret e Gideonit II”. Plani do të shqyrtohet edhe nga kabineti i sigurisë në ditët e ardhshme. Pritet që qindra mijëra banorë të marrin urdhër për evakuim drejt jugut të Rripit të Gazës.

Në fillim të shtatorit pritet të thirren në shërbim rreth 60 mijë rezervistë, për të liruar trupat aktive për operacionin. Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se po i “shkurtëzon afatet” për marrjen nën kontroll të asaj që e cilësoi si bastionet e fundit të Hamasit në Gaza. Hamasi e akuzoi liderin izraelit për vazhdimin e luftës brutale kundër civilëve dhe për injorimin e propozimit të ri për armëpushim nga ndërmjetësit rajonalë, për të cilin Izraeli ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare.

Nga bashkësia ndërkombëtare kanë ardhur reagime të ashpra. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se plani mund të sjellë katastrofë për të dy popujt dhe ta fusë rajonin në luftë të përhershme. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të zjarrit, duke paralajmëruar se ofensiva do të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim të pashmangshëm.

Ministri izraelit i mbrojtjes, Izrael Kac, ka dhënë dritë jeshile planit “Qerret e Gideonit II”, i cili konsiderohet vazhdim i planit të miratuar në maj, sipas të cilit parashikohet zhvendosja e palestinezëve në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Plani iu prezantua shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Ejal Zamir, dhe udhëheqësisë së lartë ushtarake, me pjesëmarrjen e zëvendës-shefit të shtabit Tamir Jadai, drejtuesve të inteligjencës ushtarake, operacioneve, koordinimit të aktiviteteve qeveritare në territore dhe përfaqësuesve të shërbimit të sigurisë Shin Bet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu