Kandidati për komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes urbanistike në këtë komunë, duke e cilësuar si një “xhungël betoni pa rend dhe pa plan”, e cila sipas tij është e mbështetur nga pushteti lokal.
Ai ka prezantuar iniciativën e re “Roja e Ndërtimit”, një mekanizëm që do të mundësojë kontroll të plotë, mbikëqyrje publike dhe transparencë në ndërtim. “Do ta dimë kush, ku dhe si ndërton, duke i dhënë fund paligjshmërisë dhe korrupsionit,” u shpreh Osmani.
Sipas tij, vetëm përmes mekanizmave të qartë dhe të pavarur, Çairi mund të dalë nga kaosi urban. “Do t’i zbulojmë të gjithë ata që qëndrojnë pas mafies urbane dhe patronëve të tyre politikë. Unë jam gati,” përfundoi ai.