ASH: Vendi po rrëshqet drejt “Botës Serbe”, VLEN hesht, Serbia vepron

Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate sot thekson se Maqedonia e Veriut, e drejtuar nga qeveria VMRO-VLEN, po rrëshqet me hapa të sigurt drejt projektit famëkeq të “Botës Serbe”.

“Brenda më pak se një jave, qytetarët janë dëshmitarë të një serie veprimesh të koordinuara që shkojnë nga manipulimet historike deri te bashkëpunimi institucional me strukturat e “Republikës Sërpska”. Vendosja e pllakave për figurat e pushtimit serb, deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, dhe të ministres Milica Gjurgjeviq Stamenkovski në Kajmakçalan, si dhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të RMV-së me Fondin e Sigurimit Pensional të Republikës Sërpska, dëshmojnë se ndikimi serb nuk kufizohet më vetëm në retorikë, por ka depërtuar në institucionet shtetërore. Këto veprime, të ndërthurura me narrativën e rreme të ushtrisë serbe si “çlirimtare”, përbëjnë përpjekje të hapura për legjitimimin e projektit të “Botës Serbe” në territorin e Maqedonisë së Veriut. Përmes kujtesës së manipuluar historike, Serbia po kërkon të vendosë ndikim politik dhe kulturor, duke rrezikuar sovranitetin, identitetin dhe stabilitetin multietnik të vendit tonë”, reagon ASH.

Aleanca për Shqiptarët thekson se heshtja e turpshme e VLEN-it dhe justifikimet e tyre banale nuk mund të amnistojnë vazalitetin e tyre politik ndaj Mickoskit dhe hapjen e dyerve të RMV-së për projektet hegjemoniste serbe. Sot, VLEN sillet si opozitë brenda qeverisë, ndërsa “Bota Serbe” vepron lirshëm në çdo cep të shtetit.

“Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për provokime simbolike e për memorandume që e lidhin me Beogradin dhe Banjallukën. Ajo ka nevojë për institucione që mbrojnë rrugën euro-atlantike, për liderë që flasin me guxim dhe për politika që forcojnë kohezionin multietnik dhe sovranitetin e vendit. Aleanca për Shqiptarët bën thirrje që institucionet shtetërore të reagojnë qartë dhe të ndalin menjëherë përpjekjet për infiltrimin e “Botës Serbe” në RMV. Heshtja është tradhti ndaj interesave strategjike të vendit”, thuhet në reagim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu