Charlie Kirk, një aktivist me ndikim i krahut të djathtë, i afërt me presidentin amerikan Donald Trump dhe drejtor ekzekutiv i Turning Point USA (TPUSA), ka vdekur si pasojë e plagosjes gjatë një eventi në Universitetin Utah Valley.
Charlie Kirk ka vdekur, njoftoi Trump në Truth Social, raporton KosovaPress.
“I madhi, madje historik, Charlie Kirk ka vdekur. Askush nuk e kuptoi dhe nuk kishte një zemër për të rinjtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më shumë se Charlie. Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga të gjithë, veçanërisht unë, dhe tani ai nuk është më me ne. Unë dhe Melania i shprehim ngushëllimet tona gruas së tij të mrekullueshme, Erika, dhe familjes. Charlie, të duam”, tha Trump.
Sekretarja e Bujqësisë, Brooke Rollins, njoftoi se Kirk ishte në gjendje kritike. Fillimisht u njoftua se sulmuesi ishte arrestuar, por më vonë erdhi informacioni se personi i ndaluar ishte liruar.
Scott Trotter, një zëdhënës i Universitetit Utah Valley, tha se rreth orës 12:25 të pasdites sipas kohës lokale, “një e shtënë u dëgjua në oborrin e universitetit, pranë mensës studentore, ndërsa Charlie Kirk po fillonte fjalimin e tij”. Ai shtoi se kampusi ishte i bllokuar për pjesën tjetër të ditës.
Kongresisti Jason Chaffetz, i cili ishte në event me vajzën e tij, i tha Fox News se dhuna ishte “tronditëse”.
“Të gjithë ishin në dysheme dhe vraponin”, tha Chaffetz. “Plumbi po vinte drejt e drejt tij”. Ai shtoi se kishte folur me Kirk pak para se të fillonte tubimi. Pas të shtënave, njerëzit filluan të iknin në panik dhe pasoi kaosi.