Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00 mbledhjen e parë të Legjislaturës XI, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.
Në seancën e parë pritet të ngrihet komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve. 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse, shkruan ATSH.
Rezultatet e 11 majit prodhuan 83 mandate për Partinë Socialiste, 50 mandate për Partinë Demokratike, 3 mandate Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia, 1 mandat Shqipëria Bëhet dhe 1 mandat Lëvizja Bashkë.
Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 72 ulen për herë të parë në karrigen e parlamentit.
Përfaqësimi në Kuvend gjatë kësaj legjislature pasqyron diversitetin e shoqërisë shqiptare.
Mosha mesatare e deputetëve është 47,5 vjeç, duke kombinuar përvojën me energjinë e re. 35% e deputetëve janë gra.
Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia dhe të tjerë u përkasin fushave si mjekësia, shkencat natyrore, sociale, politike, po ashtu edhe nga inxhinieria, arti e sipërmarrja. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i shkencave” dhe 5 deputetë mbajnë titullin “Profesor”.
Për një fillim sa më efikas të sesionit të ri, administrata e Kuvendit ka përgatitur materiale orientuese dhe sesione informuese. Zyra pritëse e deputetëve ofron asistencë për njohjen e institucionit dhe detyrave të parlamentarit