Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka prezantuar bartësin e listës së koalicionit VLEN për Tetovën – Albi Qamilin.
Në një shkrim publik, Kasami e ka cilësuar Qamilin si një aktivist të palodhur dhe të përkushtuar, i cili edhe pse në moshë të re ka fituar njohje të gjerë në mesin e qytetarëve.
Albi Qamili është i diplomuar në Shkenca Politike dhe aktualisht ndjek studimet pasdiplomike në drejtimin e së Drejtës Kushtetuese. Ai është angazhuar prej vitesh në organizime, debate dhe nisma shoqërore e politike, duke qenë afër qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve.
“Energjia, vizioni dhe vendosmëria e tij përfaqësojnë më së miri gjeneratën e re të të rinjve aktivë, të cilët duan të sjellin ndryshime të prekshme në jetën publike. Me Albin bartës të listës, koalicioni VLEN sjell energjinë e ndryshimit dhe garanton që të rinjtë të kenë zërin dhe vendin e merituar në politikën lokale”, ka shkruar Kasami.