Sulmi i Izraelit ndaj një takimi të udhëheqësve të Hamasit në Katar në fillim të shtatorit ngriti shqetësime në Turqi se ajo mund të jetë shënjestra e sulmit të ardhshëm izraelit ndaj udhëheqësve të grupit militant palestinez me bazë në Gaza. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes turke, Zeki Akturk, paralajmëroi se Izraeli do të “zgjerojë më tej sulmet e tij të pamatura, siç bëri në Katar , dhe do ta çojë të gjithë rajonin, përfshirë edhe vendin e vet, në katastrofë”. Si kujtesë, më 9 shtator, Izraeli kreu një sulm ajror kundër udhëheqësve të lartë të Hamasit që nuk jetojnë në Gaza, të cilët ishin në një takim në Doha, kryeqytetin e Katarit. Izraeli dhe Turqia dikur ishin partnerë rajonalë, por marrëdhëniet e tyre u përkeqësuan në fund të viteve 2000 dhe arritën në pikën më të ulët pas një sulmi të përgjakshëm nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi fillimin e një lufte edhe më të përgjakshme në Gaza. Tensionet u rritën gjithashtu ndërsa Izraeli dhe Turqia garuan për ndikim në Sirinë fqinje. Rebelët e udhëhequr nga islamistët, të mbështetur nga Turqia, rrëzuan regjimin e Presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar dhe Izraeli ka shprehur vazhdimisht shqetësim për qëllimet e tyre.
Konflikti në Gaza
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, prej kohësh e ka mbështetur të ashtuquajturën çështje palestineze dhe Hamasin. Siç shkruan “Times of Israel”, zyrtarët e Hamasit vizitojnë rregullisht Turqinë dhe disa prej tyre janë vendosur atje. Izraeli e ka akuzuar më parë Turqinë se i ka lejuar Hamasit të planifikojë sulme nga territori i tij, si dhe të rekrutojë dhe mbledhë fonde atje. Erdogan e ka kritikuar ashpër Izraelin që nga fillimi i luftës, duke e akuzuar atë për gjenocid, ndërsa e ka krahasuar kryeministrin Benjamin Netanyahu me udhëheqësin nazist Adolf Hitler. Izraeli i hedh poshtë të gjitha akuzat për krime lufte dhe pretendon se respekton të drejtën ndërkombëtare.
Kufijtë e Izraelit
Që nga fillimi i luftës në Gaza, Izraeli pothuajse ka shkatërruar Hezbollahun e Libanit përpara se konflikti të përfundonte me një armëpushim në nëntor 2024, ka kryer një seri sulmesh ndaj infrastrukturës së rebelëve Huthi të Jemenit dhe ka goditur “në mënyrë paraprake” objektet bërthamore dhe raketore në Iran, të cilat i ka përshkruar si kërcënimin e tij ekzistencial. Duke sulmuar Katarin, një aleat i ngushtë i Amerikës që është ndërmjetës në negociatat e paqes në Gaza, lindi pyetja se sa larg do të shkojë Izraeli në ndjekjen e Hamasit. Erdogan është i afërt me udhëheqësit e Katarit dhe Turqia mban lidhje të forta ushtarake dhe tregtare me këtë vend, sipas “The Times of Israel”. Ai do të shkojë në Katar fundjavën e ardhshme për një samit të udhëheqësve të vendeve arabe dhe myslimane, i cili u thirr në përgjigje të sulmit izraelit në Doha.
Objektivi më i mundshëm
Ndërsa vëmendja është përqendruar te tensionet që rrethojnë luftën në Gaza dhe marrëdhënien e Turqisë me Hamasin, Unluhisardcicli paralajmëroi se rreziku më i madh mund të jetë në Siri, duke i përshkruar Izraelin dhe Turqinë si vende që janë “në një kurs përplasjeje”. Që kur rebelët sirianë rrëzuan Assadin dhjetorin e kaluar, tensionet midis Turqisë dhe Izraelit po rriten atje. Ankaraja ka mbështetur qeverinë e re të përkohshme dhe ka kërkuar të zgjerojë ndikimin e saj, duke përfshirë një plan ushtarak, ndërsa Izraeli e sheh qeverinë e re me dyshim. Tel Avivi ka marrë përsipër një zonë tampon të kontrolluar nga OKB-ja në Sirinë jugore dhe ka nisur qindra sulme ajrore kundër objekteve ushtarake siriane. Izraeli gjithashtu e ka pozicionuar veten si mbrojtës të pakicës druze kundër autoriteteve shumicë myslimane sunite në Damask. Sipas The Times of Israel, Erdogan mund të shpresojë që Uashingtoni do të mbajë një qëndrim të ashpër kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake izraelite. Por, siç tregoi sulmi në Katar, marrëdhëniet e forta me Uashingtonin nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një garanci kundër një sulmi izraelit. Sulmi në Doha, siç tha Unluhisardjikli, tregoi se “nuk ka kufij për atë që mund të bëjë qeveria izraelite”./Marsela SHYTIA/