Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka prezantuar planin për ndërtimin e një Stacioni të zjarrfikësve në Çair, përcjell TV21. Sipas projektit, stacioni do të ndërtohet në afërsi të Poliklinikës së Çairit.
“Sot po prezantojmë konceptin e ndërtimit të Stacionit Territorial të Zjarrfikësve në komunën e Çairit. Stacioni do të jetë në sipërfaqe prej 750 m2. Do të pajiset me tre kamionë për shuarjen e zjarreve dhe do të ketë të punësuar 12 profesionistë zjarrfikës të cilët do të jenë të trajnuar dhe të gatshëm për të vepruar në çdo situatë emergjente. E veçanta e Çairit është se kemi pasur dhe kemi heronj të heshturi zjarrfikës që kanë shpëtuar jetë, kanë rrezikuar jetën për të ndihmuar të tjerët, dhe nuk mund të mos përmend në mirënjohje të thellë Shoqatën Vullnetare Zjarrfikëse “Bajram Miftari” nga Çairi”, tha mes tjerash Mexhiti.