Buteli me një kandidat shqiptar, BDI: Dështoi tentimi për falsifikim i VLEN-it

Ka dështuar “kandidati” i VLEN-it për kryetar Komune në Butel, i cili me urdhër të VMRO-së për të përçarë votën shqiptare, u paraqit në momentin e fundit me kandidaturën e tij në KSHZ. Kështu ka informuar BDI-Dega e Butelit, ndërkohë që akuzojnë se për tre-katër ditë, VLEN-i tentoi të falsifikojë zgjedhjet në Butel me nominimin e një kandidati që nuk e plotësonte kushtin kryesor – adresën e vendbanimit të Butelit.

Bëhet fjalë për kandidatin e promovuar nga VLEN-i, Behar Emini, drejtor aktual i Fondit për Sigurimin e Depozitave, kuadër i Alternativës. Emini vjen nga Lubeteni, ndërkohë që prej kohësh ai jeton në Çair, në rrugën “Ferid Murat”, te lagja e ndërtesave te “Princi”.

Edhe pse fillimisht VLEN nuk kishte kandidat për Butel, dy ditët e fundit të afatit, koalicioni e kishte dërguar në KSHZ emrin e Eminit për kandidat në Butel, por me adresë vendbanimi në Çair. Të nesërmen, Emini ishte detyruar të bëj kërkesë për ndërrim vendbanimi – nga Çairi në Butel, por dokumenti ishte vonuar. KSHZ, e gjendur në pozitë të palakmueshme, fillimisht i ishte përgjigjur negativisht kandidaturës së Eminit, që pastaj t’i jap afat 48 orë VLEN-it për ndërrim të kandidatit.

VLEN sërish e kishte nisur emrin e Eminit me adresë të re vendbanimi në Butel, por që ishte dorëzuar pak pasi kishte përfunduar afati për dorëzim të kandidaturave. Tashmë, siç merr vesh gazeta KOHA, koalicioni VLEN është ankuar në Gjykatën Administrative, ndërsa shpresojnë se Emini do të mund të garojë në Butel. Emini ka katër ditë që ka publikuar kandidaturën e tij në rrjetet sociale, ndërsa fitore të tij i ka dëshiruar me një status në Facebook edhe kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.

Aktualisht, përveç LSDM-së dhe VMRO-së, edhe Aleanca Kombëtare për Integrim ka kandidat për kryetar të Butelit – profesor Isamedin Azizin.

Reagimi i plotë i BDI-Dega e Butelit:

Dështoi tentimi i vasalëve të Mickoskit për falsifikim të zgjedhjeve në Butel

Ju informojmë se ka dështuar “kandidati” i VLEN-it për kryetar Komune në Butel, i cili me urdhër të VMRO-së për të përçarë votën shqiptare, u paraqit në momentin e fundit me kandidaturën e tij në KSHZ.

Për shkak se adresën kandidati e kishte në Çair, sot kandidatura e të njëjtit edhe zyrtarisht i refuzua. Gjatë dy ditëve të kaluara kishte patur tentime për falsifikim të kandidaturës, duke ndërruar adresën pasi kanë dorëzuar dokumentacionin në KSHZ. Megjithatë, nuk ju kaloi dredhia.

Epo, kështu ndodhë kur nuk e ke qëllimin e pastër e punon me direktivë të partisë së Mickoskit!

Është për t’u habitur fakti se, “kandidati” i Fejsbukut kërkonte vota edhe në Luboten e Butel, ndërsa me adresë banimi ishte në Çair. Kjo tregoi se sa e do vendlindjen – Lubotenin dhe sa është i gatshëm të punojë për Luboten.

Ndoshta po ndjek rrugën e kryetarit të tij, Zeqirja Ibraimit, pasi dhe ai – vetëm në zgjedhje paraqitet në Luboten dhe pas zgjedhjeve, e merr pluhuri i harresës.

Interesat personale e grupore nuk pinë ujë në Luboten dhe tek popullata e gjerë. Lirisht shkoni në Çair pasi adresat i keni atje. Një fjalë popullore thotë: “Guri peshon në vendin e vet”. Ka Luboteni djem që peshojnë shumë – djem të ri që i qëndrojnë besnik vendlindjes, janë pranë bashkëfshatarve dhe i dalin zot vendit të vet. Kemi kandidatin Armend Murseli nga Luboteni, të cilin do ta mbështesim të gjithë, pasi është zëri i fuqishëm i Lubotenit në Komunën e Butelit.

Kemi edhe kandidatin e vetëm shqiptar për kryetar komune – Isamedin Azizin nga AKI, i cili kandidaturën e tij e paraqiti i pari – që para 10 ditëve, e jo në moment të fundit për qëllime djallëzore.

Të nderuar qytetarë të Butelit,
Këto zgjedhje janë referendum për shqiptarët në gjithë vendin, e në veçanti në Butel. Është moment historik të gjithë bashkë të zgjedhim kryetarin e parë shqiptar në komunën e Butelit. Të tregojmë se shqiptarët janë faktorë në Butel, se shqiptarët kanë forcë elektorale për të udhëhequr me Komunën e Butelit. Të përkrahim profesor Isamedin Azizin dhe të gjithë kandidatët për këshilltarë me bartësin e Listës, dr.Linkest Lumani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu