VLEN nuk është parti e pavarur politike, është instrument në shërbim të VMRO-së. Kështu ka akuzuar dje Rina Ajdari, deputete e BDI-së, ndërsa ka thënë se arsyeja pse VMRO nuk nxjerr kandidatë në komunat me shumicë shqiptare është e qartë – sepse kandidatët e saj tashmë garojnë nën logon e VLEN-it.
“Ata nuk kanë asnjë legjitimitet shqiptar, janë vetëm emisarë të një politike antishqiptare, e cila ka ndërruar kostumin, por jo qëllimin: të kthejë shqiptarët në periudhën para vitit 2001. Nuk është rastësi që kjo qeveri, në vetëm pak më shumë se një vit e solli në zero punësimin e shqiptarëve në administratën shtetërore, inicoi shfuqizimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, hapi idenë e heqjes së votimit me Badinter, si dhe solli ‘botën serbe’ me uniforma ushtarake në mes të Shkupit”, tha deputetja Ajdari.
VMRO-ja, sipas saj, për çdo politikë të saj në dëm të multietnicitetit, sot përdor VLEN-in si fasadë. “Nuk ka më asnjë dyshim: në çdo komunë ku del kandidat i VLEN-it, është VMRO-ja që fshihet pas tij. E njëjta gjë vlen edhe për Levicën – një parti që shpesh ka treguar qëndrime më radikale se vetë VMRO. Ky bashkëpunim nuk është vetëm taktikë zgjedhore, por strategji e përbashkët për të kontrolluar shqiptarët dhe për të penguar avancimin tonë politik e kombëtar. Sot po shohim përpjekje për të relativizuar edhe historinë e lavdishme të vitit 2001 – periudhën e kthesës historike për popullin shqiptar në këtë vend”.
Këto politika, ka vijuar më tej ajo, i ngjajnë politikave të fundviteve 80’, ku sistemi i atëhershëm promovonte të drejta për të gjithë përmes përfaqësuesve “të ndershëm” pa legjitimitet, e në veçanti për shqiptarët.
“Epilogun të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Prandaj pyetja është e qartë: A mendoni se do ti manipuloni shqiptarët që të votojnë ata që përfaqësojnë VMRO-në dhe ‘botën serbe’? Ne jemi të qartë: shqiptarët nuk i nënshtrohen padronëve të VMRO-së. Shqiptarët kanë votën e tyre, kanë dinjitetin e tyre dhe e kanë dëshmuar se nuk shiten. Kjo qeveri monoetnike, bashkë me fasadën e tyre elektorale të quajtur VLEN, në thelb ndan një qëllim: të bllokojë avancimin e shqiptarëve, të relativizojë sakrificat tona dhe të bëjë kthim pas në të drejtat tona. Ndaj është e domosdoshme që shqiptarët të jenë të bashkuar, të qartë dhe të vendosur”, tha Ajdari, sipas të cilës, vota shqiptare është e lirë, sovrane dhe vendimtare.
“As VMRO, as Levica, as ‘bota serbe’ nuk vendosin kush i përfaqëson shqiptarët. Vetëm qytetari shqiptar me votën e tij të lirë! Dhe këtë shqiptarët do ta dëshmojnë fuqishëm më 19 tetor”.