Kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh se Gjermania qëndron fuqishëm në krah të Izraelit dhe do të mbetet gjithmonë një “strehë e sigurt” për hebrenjtë.
Në një deklaratë me rastin e festës hebraike “Rosh Hashanah”, Mertz theksoi se plagët e shkaktuara nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael janë ende të hapura dhe se shumë pengje vazhdojnë të mbahen në duart e Hamasit.
“Gjermania mbetet e përkushtuar për lirimin përfundimtar të tyre”, tha ai, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të jetë një strehë e sigurt për hebrenjtë, “në këtë periudhë dhe gjithmonë”.
Sipas Mertz, që nga sulmi i 7 tetorit, antisemitizmi në Gjermani është bërë më i dukshëm, më agresiv dhe më i dhunshëm:
“Do të doja t’u them hebrenjve që jetojnë në Gjermani: pa ju dhe pa një jetë hebraike dinamike mes nesh, nuk ka të ardhme të mirë për Republikën Federale.”
Ai shtoi se traditat judeo-kristiane janë një bazë e rëndësishme e shoqërisë së hapur gjermane dhe qeveria federale do të bëjë gjithçka që hebrenjtë të ndihen të sigurt në vend.
Gjermania kundër njohjes së shtetit palestinez pa zgjidhje përmes negociatave
Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, përsëriti refuzimin e Berlinit për të njohur një shtet palestinez përpara një zgjidhjeje të negociuar.
“Vetëm përmes negociatave mund të arrihet paqja e qëndrueshme”, tha ai, duke sqaruar se njohja e shtetit palestinez duhet të jetë një nga hapat e fundit në drejtim të zgjidhjes me dy shtete.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Gieße, mohoi që Gjermania po izolohet nga partnerët ndërkombëtarë për shkak të këtij qëndrimi dhe u shpreh optimist për kandidaturën e vendit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2027–2028.
E Majta gjermane kërkon njohjen e Palestinës
Nga ana tjetër, Partia e Majtë kërkoi sot që qeveria federale të njohë shtetin palestinez.
“Kujdesi dhe hezitimi janë gabim në këtë moment – tani është koha për të zgjedhur anën e drejtë”, deklaroi kryetarja e partisë, Janine Wissler, duke e akuzuar qeverinë se “po mbyll sytë ndaj dhimbjes së pamasë në Gaza”.
Sipas saj, njohja e Palestinës nuk është thjesht simbolike, por një mesazh i qartë se paqja në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm me zgjidhjen me dy shtete.