Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në një shkollë në Alsace, Francë, kur një nxënës 14-vjeçar sulmoi mësuesen e tij 66-vjeçare me thikë në fytyrë.
Sulmi ndodhi mëngjesin e së mërkurës, rreth orës 8, në Shkollën e Mesme Robert Schuman, në Benfeld, afër Strasburgut, vetëm disa kilometra larg kufirit gjerman.
Nxënësi goditi mësuesen në fytyrë, duke e plagosur rëndë, por fatmirësisht jeta e saj nuk është në rrezik. Pas sulmit, ai iku nga shkolla dhe u kap më vonë nga policia në një rrugë midis Benfeld dhe Huttenheim. Sipas raportimeve, gjatë arrestimit ai u plagos në qafë dhe u dërgua në spital me helikopter.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar motivin e këtij sulmi të dhunshëm, ndërsa një ekip emergjence psikologësh është dërguar në shkollë për të mbështetur nxënësit, mësuesit dhe familjet e përfshira. Hetuesit ende nuk kanë publikuar detaje të identitetit të nxënësit, i cili thuhet se është një djalë që është strehuar në një shtëpi. Ministrja e Arsimit e Francës ka njoftuar se do të udhëtojë në rajon për të monitoruar situatën.