Pas derivateve, tani rritje edhe te cigaret – paketat shtrenjtohen për 10 denarë
Pas rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, tani një tjetër produkt i përdorur gjerësisht po bëhet më i shtrenjtë. Që nga 29 shtatori, pra nga dita e djeshme, çmimet e cigareve në Maqedoninë e Veriut janë rritur për rreth 10 denarë për paketë.
Megjithatë, për shkak të rezervave ekzistuese me çmimet e vjetra, konsumatorët ende nuk e ndjejnë plotësisht rritjen. Prodhuesit paralajmërojnë se ditëve në vijim, çmimet e reja do të pasqyrohen në të gjitha pikat shitëse dhe ndryshimi do të jetë i dukshëm për blerësit.
Rritja prek markat më të njohura në treg, si Dunhill, Lucky Strike, Pall Mall dhe Rothmans, ndërsa pritet që në javët e ardhshme edhe brendet tjera të pësojnë ndryshime të ngjashme.
Sipas burimeve nga sektori tregtar, kjo rritje nuk lidhet me ndryshime në akcizë apo tatime shtetërore, por është pjesë e politikave të reja të çmimeve të vetë prodhuesve. Analizat tregojnë se shkak kryesor janë rritja e kostove të prodhimit dhe transportit, si dhe përshtatja me çmimet më të larta të vendeve të rajonit.
Për momentin, disa tregtarë ende shesin cigare me çmim të vjetër, por ato pritet të mbarojnë së shpejti, çka do të thotë se rritja e plotë do të ndihet brenda disa ditësh.