Covey gjatë dëshmisë së tij tha se nuk ka pasur asnjëherë një pasqyrë të qartë se kush ishte përgjegjës për rajone të caktuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se kujt i raportonte ai person
Ka nisur dëshminë sot në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, dëshmitari i katërt me radhë, James Peter Covey, i cili ishte zëvendësi kryesor i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Bernard Kouchner, gjatë viteve 1999-2001, raporton Anadolu.
Covey gjatë dëshmisë së tij tha se nuk ka pasur asnjëherë një pasqyrë të qartë se kush ishte përgjegjës për rajone të caktuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se kujt i raportonte ai person.
“Ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje se sa një ushtri ku secili individ në zonë apo komandant në terren kishte një autonomi të gjerë, ndërsa në realitet, qoftë ne realitet apo imagjinatën e tyre, ata e kishin këtë pushtet. Ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, kjo ishte mënyra se si e kemi kuptuar ne”, tha dëshmitari Covey gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gjatë seancës, para dëshmitarit Covey u shfaq edhe një dokument që mbante nënshkrimin e Hashim Thaçit si komandant i përgjithshëm i UÇK-së, i cili i ishte përcjellë Kouchnerit në bazë të marrëveshjes së çarmatosjes së UÇK-së.
Covey u pyet nëse atë kohë kanë menduar se Thaçi ishte komandant i UÇK-së dhe ai e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, tha Covey.
Duke folur për një takim në të cilin Bernard Kouchner kishte udhëtuar në Kosovë në shtator të vitit 1999 për t’i bindur komandantët e zonave për përmbushjen e kushteve të demilitarizimit, Covey tha se Hashim Thaçi nuk kishte folur fare dhe se marrëdhënia e tij me komandantët e zonave ishte e ndërlikuar.
“Kjo më kujtohet shumë qartë, dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me zotin Thaçi kur e njohëm. Pra, ai kishte një marrëdhënie të vështirë dhe komplekse me komandantët e UÇK-së në terren dhe ata treguan pak ose aspak respekt ndaj tij”, tha dëshmitari, i cili më vonë shtoi se kishte konkluduar se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999.
Pas disa orësh dëshmie, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, tha se pyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin përfunduan, ndërsa dëshmitari Covey do të rikthehet sërish nesër në sallën e gjyqit ku do të përballet me pyetjet që do t’i parashtrojë Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë.