Mbrëmë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, shpërfaqi qartë “obsesionin e tij politik për të kontrolluar skenën shqiptare në Maqedoni”, reaguan nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Sipas BDI-së, deklarata e fundit e Mickoskit, ku ai flet për “pensionimin politik” të liderit të shqiptarëve, Ali Ahmeti, “nuk është vetëm një dëshirë personale, por një vazhdim i strategjisë së tij për të dobësuar, marginalizuar dhe kontrolluar shqiptarët”.
“Vetëm disa ditë më parë, ai deklaroi se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike e vendit. Kështu, ai konfirmoi atë që kemi paralajmëruar për muaj të tërë: Mickoski nuk kërkon thjesht fitore zgjedhore, por dominim mbi shqiptarët dhe përpjekje për të kontrolluar përfaqësimin e tyre,” theksohet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti shtojnë se Mickoski dhe VMRO, kur flasin për “zogj e bilbila”, i referohen vetëm “shqiptarëve të tyre të ndershëm, ata që i kanë nën kontroll në qeveri”.
“Por shqiptarët e vërtetë, shqiponjat e këtij vendi, nuk mund të mbyllen nën një çati politike. Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë fuqinë dhe vendosmërinë e tyre, duke i dhënë përgjigjen e merituar këtij obsesioni,” thuhet më tej.
BDI vlerëson se kjo “platformë ideologjike e rrezikshme”, që sipas tyre është “vegël e projektit të famshëm të ‘botës serbe’”, synon të imponojë politikanë shqiptarë të dobët e të nënshtruar.
“VLEN-i është instrumenti i tij për të kontrolluar skenën politike shqiptare, por shqiptarët nuk do të heshtin. BDI ka qenë dhe mbetet zgjedhja e shqiptarëve. Ne kemi qenë gjithmonë adresa e qytetarëve, garantuesi i përfaqësimit të vërtetë dhe të dinjitetshëm. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për shqiptarët përveç vetë shqiptarëve,” deklaron BDI.
Në përfundim, kjo parti paralajmëron: “Më 19 tetor, kukullat e Mickoskit në VLEN do të pësojnë disfatën që meritojnë. Shqiponjat do të fluturojnë mbi çdo përpjekje për kontroll, dhe zëri i shqiptarëve do të jehojë. Ne nuk do të zhdukemi, nuk do të përulemi, dhe nuk do të lejojmë askënd të zgjedhë për ne. BDI është këtu dhe do të mbetet zëri i shqiptarëve që kërkojnë barazi, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre.” /Gazeta Flaka/