UEFA ka vendosur të tërhiqet nga planet për ta përjashtuar Izraelin nga garat evropiane, pas prezantimit të planit të paqes nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Organi qeverisës i futbollit evropian kishte parashikuar një mbledhje urgjente të Komitetit Ekzekutiv, mes raportimeve se shumica e anëtarëve mbështesnin ndalimin e ekipeve izraelite. Mirëpo, iniciativa e Trump, e cila përfshin një plan 20-pikësh me proces demilitarizimi dhe rindërtimi, ka bërë që UEFA të mbajë një qëndrim pritës.
Plani është pranuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe gëzon mbështetjen e tetë shteteve, ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair është emëruar anëtar i parë i “Bordit të Paqes” që do të mbikëqyrë përkohësisht Gazën nëse propozimi miratohet.
Izraeli është anëtar i UEFA-s që nga viti 1984, por përfshirja e tij shpesh ka shkaktuar polemika. Një vendim për përjashtim do të kishte ndërlikuar edhe kualifikimet e Kupës së Botës, të cilat zhvillohen nën organizimin e FIFA-s. Ky zhvillim pritet të lehtësojë presionin ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili shihet si aleat i afërt i Trump.