Si po e forcon Vuçiq, Radoiçiqin në Serbi?

Angazhimi i shtuar i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, pas një mungese të përkohshme nga jeta publike në Serbi – që pas pranimit të përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë – tregon se regjimi serb ka shpallur një mobilizim të përgjithshëm dhe po përgatitet për një periudhë përshkallëzimi të konflikteve me një shoqëri të rebeluar.

Sipas bashkëbiseduesve të mediumit radar, pushtetit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i duhen individë me talent për dhunë, para së gjithash për të ndalur zhvillimin e nismave të gjalla lokale qytetare – pas shembullit të Kralevës dhe më pas edhe të qyteteve të tjera si Zajçari apo Kosjeriçi – dhe për të forcuar strukturën e lëkundur të organizatës së vet.

Për këto punë nevojiten njerëz me përvojë në shkatërrimin total të pluralizmit në një shoqëri, nga njëra anë, dhe në vendosjen e ligjit të omertës (kodi i heshtjes) mes ndjekësve të tyre, nga ana tjetër. E nëse për këtë nevojitet një përfaqësues shembullor, më i miri se ai në veri të Kosovës nuk gjendet – as në përvojat historike të diktaturave narkotike të Amerikës Latine, transmeton Telegrafi.

Gjatë dekadës së kaluar, Milan Radoiçiq – sipas udhëzimeve të Vuçiqit – ka shkatërruar në mënyrë aq të thellë vullnetin e serbëve të Kosovës për t’i rezistuar dhunës dhe ka nxitur “aftësinë e tyre për të besuar” edhe në gënjeshtrën më të hapur, saqë edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga largimi i tij nga Mitrovica e Veriut, në atë qytet ende nuk ekziston asnjë parti opozitare plotësisht e pavarur.

“Sot, ky proces i shantazhit është bërë krejtësisht i automatizuar dhe reduktohet në dhënien ose ndërprerjen e dhënies së të ardhurave personale. Kjo do të thotë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshirja ose heqja nga lista për të ardhura personale, por edhe kërcënime nga njerëzit e Radoiçiqit ose nga ata që paraqiten si të tillë“, thotë për Radarin, Radoica Radomiroviq, aktivist politik nga Leposaviqi dhe bartës i listës “Fytyra e Re e Serbisë – Drejtësia Popullore” në zgjedhjet lokale të ardhshme, të caktuara për 12 tetor.

“Nuk duhet harruar që Radoiçiq, për një kohë të gjatë, e kishte nën kontroll të drejtpërdrejtë edhe policinë lokale. Ata njerëz ishin të bindurit e tij dhe i zbatonin çdo urdhër. Edhe pse kjo tani ka ndryshuar, qytetarët ende kanë frikë të thonë diçka kundër Listës Serbe ose pushtetit në Beograd, sepse druajnë se nuk do të mund të shkojnë në Serbi, se do t’i ndalojë BIA dhe do të malltretohen në kufi. Kjo tani është një metodë e re e shantazhit, por që aplikohet vetëm ndaj atyre që vërtet u kundërvihen. Nuk shoh që ndonjë nga iniciativat që janë shfaqur në veri të Kosovës gjatë viteve të fundit të kenë probleme të ngjashme. Këtu tash është e lejuar të jesh opozitë, vetëm për sa kohë nuk përmend dy emra: Aleksandër Vuçiqin dhe Milan Radoiçiqin. Por për mua, pikërisht ata dy janë çelësi i problemit – të tjerët janë vetëm satelitë dhe zbatues të urdhrave“, pohon Radomiroviq.

Bashkëbiseduesi i radarit thekson se bëhet fjalë për një marrëveshje të heshtur dhe të fshehtë mes përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe pushtetit në Beograd, të cilëve u është dhënë një periudhë 10-vjeçare për të bërë çfarë të duan, por brenda atij afati duhet të përmbushin detyrën që iu caktua në prill të vitit 2013, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit.

“Ajo marrëveshje u nënshkrua më 19 prill; vetëm katër ditë më vonë Lista Serbe shpalli bojkot të referendumit dhe zgjedhjeve lokale, e pas dhjetë vjetësh u zgjodhën kryetarë bashkie shqiptarë, për t’u ndjekur më pas dhe përkeqësimi në Banjskë. Mendoj se kjo marrëveshje edhe sot e mbron pushtetin aktual nga pasoja. Ajo që po ndodh tani në Serbi është modeli i kopjuar plotësisht i asaj që ne jetuam deri në 2023. Radoiçiqi ka mbrojtjen e policisë në Serbi, ashtu siç e pati këtu, ku pranë vetes mbante një bandë që u shpërblye shumë për atë që bënin – përmes kontratave fiktive ose donacioneve”, deklaroi ai.

“Grupin e tij në Serbi tani e përbëjnë të rinjtë që mori me vete në Banjskë dhe që, besoj, edhe vetë e kuptojnë se janë mashtruar, por ai tani i shantazhon dhe ata nuk kanë ku të shkojnë. Ata nuk janë të lumtur që kanë qenë në Kosjeriç ose në stadiumin e Crvena Zvezda-s, por tani i kanosen dënime të mëdha me burg dhe duhet të bëjnë çfarë u urdhërohet. Me përvojën nga Kosova ai thjesht u transferua në Serbi, dhe fatkeqësisht besoj se atje mund të kryejë edhe dhunë më të madhe se këtu”, paralajmëron Radomiroviq.

Sot media kryesore përmes së cilës transmetohen kërcënimet e grupit të Radoiçiqit është kanali në Telegram “Koridor”, ku pothuajse çdo ditë mund të shihen mesazhe mbështetëse për komandantin nga Banjska, por edhe kërcënime ndaj atyre që nuk e pranojnë autoritetin e tij.

“Në dy vitet e fundit kam marrë qindra mesazhe kërcënuese dhe nuk kam denoncuar asnjë”, vazhdon Radomiroviq, “Mesazhi i fundit drejtuar mua në atë kanal Telegram ishin fotografi të dy pjesëmarrësve të Banjskës, që i njoh personalisht, me nënshkrimin që janë fytyrat që do të shoh të fundit në jetë, që janë, në të vërtetë, atentatorët e mi. Me veprimet e tyre, me dhunën por edhe me vrasjet e paqarta të viteve të mëparshme, atyre u futën njerëzve frikë në kocka. Dimitrije Jovanoviq dhe Oliver Ivanoviq u vranë në të njëjtën datë – kjo tregon fuqinë që mund të zgjedhin ditën kur do ta vrasin dikë, sikur të ishte diçka e thjeshtë. Ata që i kundërshtuan u eliminuan dhe prandaj tani kemi këtë situatë: zgjedhjet janë më të lira, por nuk ka vullnet dhe forcë për të ndryshuar mënyrën e të menduarit”.

Disiplinimi i kundërshtarëve dhe përkrahësve të pushtetit

Megjithatë, ndryshe nga veriu i Kosovës, në Serbinë qendrore ekziston një numër i konsiderueshëm njerëzish jeta e të cilëve nuk varet nga buxheti, dhe një problem i veçantë për pushtetin është mungesa e efikasitetit të “artilerisë mediatike” nga niveli kombëtar kundër nismave qytetare lokale. Për këtë nevojitet dhunë direkte në terren, e cila, sërish, kërkon specialistë që nuk janë nga vetë mjedisi lokal. Pikërisht ashtu siç Milan Radoiçiq në Mitrovicën e Kosovës e kishte drejtuar dhunën kundër njerëzve që nuk ishin fqinjët apo miqtë e tij të vjetër.

Burimet e Radarit tregojnë, megjithatë, se krahas sulmeve ndaj qytetarëve dhe pjesëmarrësve në protesta, prioriteti më i madh aktual i regjimit është ndalimi i shpërbërjes së vetë organizatës së tij — dhe se grupi nga Banjskë dhe vetë Radoiçiq po përdoren gjithashtu për të rivendosur disiplinën e tronditur partiake.

“Kemi një situatë ku anëtarësia në SNS tani është bërë barrë, sidomos në vendbanime të vogla. Kosjeriçi është rast interesant, sepse pushteti i SNS-së atje është formuar me vetëm një deputet më shumë, dhe mendoj se prania e Radoiçiqit atje ka për qëllim forcimin e strukturës së pushtetit partiak që është tronditur rëndë“, thotë për Radarin një burim nga veriu i Kosovës që ka kërkuar të mbetet anonim.

“Pushteti kërkon nga udhëheqësit lokalë më shumë angazhim, dhe kjo shpesh nënkupton përplasje me fqinjët e tyre. Vuçiqin, siç duket, nuk e shqetëson nëse ai ose anëtarët e familjes së tij do të mund të dalin në rrugë pas gjithë kësaj — e vetmja gjë që ka rëndësi është ruajtja e pushtetit, çdo gjë tjetër është dytësore. Por në nivel lokal nuk është aq e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për njerëz që takohen çdo ditë në rrugë“, deklaroi ai.

Edhe pse angazhimi i kuadrove nga Kosova ka sjellë disa herë aksione të dhunshme dhe pasoja për pushtetin e Vuçiqit për shkak të rezistencës së qytetarëve, ish-nënkryetari i Listës Serbe – për të cilin Vuçiq kishte deklaruar se nuk e njihte – është angazhuar në mbrojtjen e regjimit që nga protesta e madhe më 15 mars.

Receta kosovare për Serbinë qendrore

“Përveç sigurimit personal që ia ofrojnë ‘Kobrat’ (njësia elitare e ushtrisë serbe), njerëzit e Radoiçiqit prej një kohe të gjatë ndodhen në Parkun e Pionirëve përballë Presidencës. Ata janë linja e parë e mbrojtjes – dhe janë njerëz që nuk mund të blihen, por vetëm të shantazhohen. Këta njerëz, përfshirë edhe vetë Radoiçiqin, nuk përbëjnë kurrfarë barre për këtë pushtet – janë thjesht material harxhues. Sot kemi një situatë ku ata angazhohen në vendbanime të vogla, sipas sistemit ‘Kur të kthehet ushtria në Kosjeriç’. Topin zanor nuk e kanë përdorur kundër policisë së Kosovës që arreston njerëz në protesta, por në Beograd – dhe zbatimi i të njëjtave receta të provuara nga veriu i Kosovës në Serbinë qendrore është po ajo metodologji e tradhtisë“, thotë për Radarin Milivoje Mihajloviq, gazetar dhe njohës i mirë i çështjes së Kosovës.

Ndërkohë që vazhdojnë sulmet ndaj qytetarëve protestues, sipas tij, vendi po futet në borxhe në mënyrë të pamëshirshme, bëhet gjithnjë e më i varur nga ndikimet e huaja dhe po shkatërrohet arsimi.

Kjo është e njëjta recetë, thotë Mihajloviq, sipas të cilit projekti i preferuar i këtij pushteti është “që të gjithë njerëzit normalë të largohen nga vendi, dhe të mbesin vetëm votuesit e SNS-së – ashtu siç në Kosovë nuk ka vend për serbët që kundërshtojnë, apo që thjesht duan një jetë normale”.

Shënimi i turpshëm i përvjetorit të sulmit terrorist në Banjskë me flakadanë në Kalemegdan dhe Petrovaradin tregon dëshpërimin e pushtetit, i cili po përpiqet të ndryshojë narrativin për atë ngjarje, por edhe për ngjarje të tjera pas të cilave u përshpejtua rënia e përkrahjes së tij dhe të shefit të tij — si p.sh. shkaku i shembjes së mbulesës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Sipas burimeve të Radarit, është shenjë që pas përpjekjes dështuar për të siguruar azil në Federatën Ruse për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, ai vetë para një numri të mjaftueshëm njerëzish – që mund t’ua përcillnin Vuçiqit – tha se nuk i shkon në mendje të kërkojë azil në lindje.

Burimet e Radarit theksojnë se kjo mund të jetë njëfarë mesazhi se ai, përmes kontakteve të tij personale, është në gjendje të sigurojë një marrëveshje më të favorshme për vete, pa ndihmën e regjimit. E pushteti, kur bëhet fjalë për të dërguarin e tij për Kosovën, ka dy zgjedhje: ose ta dorëzojë te autoritetet në Prishtinë, ose ta fshehë diku jashtë Serbisë.

Megjithatë, duke pasur parasysh sasinë e madhe të parave, por edhe logjistikën në formë të njerëzve që varen plotësisht prej tij dhe prandaj i janë besnikë, kjo nuk do të shkojë lehtë.

Sidomos duke qenë më se e qartë se ish-nënkryetari i Listës Serbe disponon edhe informacione nga vetë sistemi dhe duket qartë se mund të gjejë ende “postar” që do t’i përcjellin të gjitha lajmet e rëndësishme.

Nga ana tjetër, zhytja e Serbisë në atë lloj diktature të një bande kriminale, për të cilën fliste Oliver Ivanoviq, do të kërkonte një strukturë shumë më të madhe të bandave dhunshme, por edhe të njëjtat metoda të shkatërrimit të strukturës shoqërore përmes dhune ekstreme dhe operacionesh të reja nën flamur të rremë, në të njëjtin model si ajo në Banjskë më shtator 2023, që përfundoi me vdekjen e katër njerëzve.

Të gjithë frikësohen nga një skenar i tillë. Zbatimi i tij me sukses do të nënkuptonte humbje të lirisë dhe jetë në frikë për shumicën dërrmuese të qytetarëve që duan që Serbia të bëhet një shtet normal, demokratik dhe i bazuar në ligj. Dhe parandalimi i një skenari të tillë kërkon rezistencë ndaj bandës kriminale, e cila ka treguar tashmë se nuk i vlen shumë për jetët e të tjerëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu