Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të mos e humbasin vrullin për avancimin e paqes, duke e lidhur këtë me përparimin e fundit në Lindjen e Mesme, pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
“Lufta në Evropë gjithashtu mund të marrë fund”, deklaroi Zelenskyy, duke theksuar se roli dhe lidershipi i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve ndërkombëtarë janë vendimtarë për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj Ukrainës.
Në një postim në platformën X, presidenti ukrainas bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë afro njëorëshe me presidentin finlandez, Alexander Stubb, gjatë së cilës u diskutua koordinimi i qëndrimeve për paqen dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
“Tani, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po mbaron, është e rëndësishme të mos humbasim vrullin për të çuar përpara paqen. Lufta në Evropë gjithashtu mund të marrë fund, dhe për këtë, lidershipi si i Shteteve të Bashkuara ashtu edhe i partnerëve të tjerë është me rëndësi të madhe”, shkroi Zelenskyy.
Ai gjithashtu përgëzoi presidentin amerikan Donald Trump për përpjekjet e tij për të siguruar lirimin e pengjeve dhe për ndalimin e luftës në Gaza, duke shtuar se veprimet e duhura nga SHBA-të mund të ndihmojnë gjithashtu në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Zelenskyy shtoi se me presidentin finlandez diskutuan edhe sulmet e fundit ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe nevojën për të forcuar sistemin e mbrojtjes ajrore.
Ai falënderoi Finlandën për gatishmërinë për të ndihmuar, duke nënvizuar se “Rusisë duhet t’i hiqen mjetet për të vazhduar luftën dhe terrorin e saj, kjo mund të jetë baza më e besueshme për paqen në rajonin tonë”.