Cilat janë pikat më të nxehta zgjedhore të zgjedhjeve lokale në RMV?

LSDM po kthehet dhe do të fitojë, tha lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në tubimin në Strumicë që u mbajt më datë 12 tetor nën moton “Po luftojmë për shtëpinë tonë”. Nga bastioni i partisë, ku pushteti lokal ka qenë në duart e LSDM-së për dy dekada, ai dërgoi mesazhin se partia nuk planifikon të dorëzohet në betejën për Strumicën, shkruan Dojçe Vele (DW).

“Politikanët që e ndryshuan vendin filluan nga këtu. Politikat që sollën zhvillim, drejtësi dhe liri filluan nga këtu. Shpresa gjithmonë ka lindur nga këtu. Prandaj, nga këtu, nga ky shesh, ne do ta dërgojmë mesazhin më të fuqishëm: LSDM po kthehet”, tha Filipçe.

Për të Strumica është një simbol i rezistencës. “Gënjeshtrat dhe manipulimet e qeverisë nuk hahen në Strumicë”, tha Filipçe para banorëve të Strumicës.

Por kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka pritshmëri të tjera në këto zgjedhje lokale. Për të, Strumica është simbol i luftës, i dinjitetit, i shpresës. Ai tha se ajo nuk është pronë private e askujt dhe se është koha që VMRO-DPMNE –ja të korrë fitore. Sipas Mickoskit, Strumica ka 20 vite që po i pret ndryshimet që, sipas tij, do të ndodhin tani.

“Do të fitojmë sepse Strumica po ngre kokë, po çlirohet nga kufizimet që e kanë bllokuar për dy dekada në atë të ashtuquajturën familje që e ka pushtuar qytetin”, tha Mickoski më 5 tetor, në tubimin partiak në këtë qytet.

Pikërisht Strumica është një nga pikat më të nxehta zgjedhore të zgjedhjeve lokale në Maqedoni që do të mbahen të dielën (19 tetor). Analistët presin momente të pasigurta edhe në komunat e Shkupit, Karposh dhe Qendër, sa i përket dueleve në bllokun politik maqedonas. Në bllokun politik shqiptar beteja do të zhvillohet kryesisht për Tetovën dhe Çairin, për të cilat parashikohet se do të jenë më interesantet për t’u ndjekur.

Beteja për Strumicën

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të planifikuara për 19 tetor banorët e Strumicës do të mund të zgjedhin midis katër kandidatëve. Petar Jankov, si kandidat i VMRO-DPMNE-së. Marjan Daskallovski është kandidati i LSDM-së. “Maqedonia e Bashkuar” e ka nominuar Risto Caskonojen, ndërsa ka edhe një kandidat të pavarur – Dragan Koturoviq.

Në këto zgjedhje LSDM vendosi të mos e nominojë kryetarin aktual të komunës, Kostadin Kostadinov, edhe pse ai reagoi se ishte i pari sipas anketave. Por, partia vendosi të luante me një kartë tjetër në këto zgjedhje: ajo ia dha besimin Marjan Daskallovskit, i cili vjen nga sektori privat dhe që për shumë vite ka qenë kryetar i Këshillit të Komunës së Strumicës.

Sipas pritshmërive beteja vendimtare do të zhvillohet pikërisht midis këtyre dy kandidatëve. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që ta fitojë pushtetin lokal në këtë qytet pas 20 vitesh, ku që nga viti 2005 kryetarët e komunës kanë qenë nga radhët e LSDM-së. Ish-kryeministri Zoran Zaev kishte tre mandate, Kosta Janevski një, pas të cilëve në krye të komunës erdhi Kostadin Kostadinov.

Sipas analistit Petar Arsovski, kohezioni i dobët i brendshëm partiak në LSDM, i cili ka qenë evident për një kohë të gjatë si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, do të ketë ndikimin e tij në votim. “Kam përshtypjen se pas paraqitjes së ish-zyrtarëve të LSDM-së në fushatë, është e qartë se ata janë më të përqendruar në atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve lokale”, thotë analisti.

Pasiguri dhe kthesë

Arsovski pret momente të pasigurta në bllokun maqedonas, sidomos në Strumicë, si dhe në komunat e Shkupit, Karposh dhe Qendër. “Nuk pres ndonjë surprizë tjetër në bllokun maqedonas, por në këto tre komuna mund të ndodhin surpriza”, thotë Arsovski.

Çfarë do të thoshte kjo? Sipas bashkëbiseduesit të DW-së, do të ishte surprizë nëse në Karposh fiton dikush tjetër përveç kryetarit aktual, Stevço Jakimovski, i cili po lufton për një mandat të pestë, ose nëse në Qendër fiton dikush tjetër përveç kryetarit aktual, Goran Gerasimovski, i cili po lufton për rizgjedhje si kryetar i komunës. Do të ishte gjithashtu një surprizë nëse në Strumicë fiton VMRO-DPMNE-ja, që do të ishte hera e parë pas shumë vitesh”.

Në bllokun shqiptar beteja do të zhvillohet kryesisht për Tetovën dhe Çairin dhe ato do të jenë më interesantet për t’u ndjekur, analizon Arsovski. Tetova dhe Çairi, thotë ai, janë shumë interesante për sa i përket peshës së tyre politike, e jo për sa i përket pasigurisë së betejës.

Çari – një bastion i ri për betejën partiake midis BDI-së dhe VLEN-it

Nëse deri më tani beteja është bërë në Tetovë, tani beteja kryesore është zhvendosur në Çair të Shkupit. “Nëse VLEN-i fiton në Tetovë dhe Çair, narrativi i BDI-së “do të bjerë ujë” – se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të nevojshme menjëherë, se VLEN-i është delegjitimuar. Ky narrativ do të dështojë. Nëse, nga ana tjetër, nëse BDI-ja fiton në Tetovë dhe Çair, kjo do të krijojë pasoja më serioze politike në të cilat VLEN-i do ta ketë të vështirë ta ruajë pozicionin dhe legjitimitetin e tij”, thekson Arsovski.

Sipas analistëve këto zgjedhje janë interesante nga pikëpamja se në Çair po zhvillohet një betejë për gjithçka ose asgjë. Beteja për Çairin është edhe shumë interesante dhe ‘presidenciale’, sepse partitë politike nga blloku shqiptar e kanë shndërruar Çairin në një betejë simbolike për të gjithë shqiptarët.

“Në garë janë kandidatët e profilit më të lartë në BDI dhe VLEN – Bujar Osmani dhe Izet Mexhiti, gjë që i ka bërë partitë të përqendrohen në betejën për Çairin, të cilin e shohin si një bastion të shqiptarëve në Maqedoni”, thotë Arsovski.

Komunat më të mëdha – një tregues i disponimit të votuesve

Analisti Xhelal Neziri për DW-në thotë se komunat më të mëdha urbane janë gjithmonë një tregues i disponimit të përgjithshëm të qytetarëve. “Shkupi është njësia më e rëndësishme dhe më e fuqishme e vetëqeverisjes lokale dhe është një lloj treguesi se cila parti çfarë mbështetje ka. Sipas anketave në këto zgjedhje VMRO-DPMNE-ja do të jetë fitues në Qytetin e Shkupit, por mbetet e paqartë nëse kjo do të arrihet në raundin e parë apo të dytë”, thotë ai.

Nëse shkohet në raundin e dytë, atëherë beteja për këtë finale zgjedhore do të jetë midis kandidatëve të LSDM-së dhe partisë “E Majta”.

“Në fakt, jo vetëm në Shkup, por edhe në nivel shtetëror, beteja më interesante është për supremacinë e liderit të opozitës. LSDM-ja është në krizë, ndërsa “E Majta” është në ngritje, gjë që mund të paralajmërojë “Pasokizimin” e Social Demokratëve dhe një opozitë të re për VMRO-DPMNE-në”, – thotë analisti.

Neziri shton se Kumanova dhe Qendra janë të rëndësishme për mbijetesë për ZNAM-in, ndërsa Çairi dhe Tetova do ta përcaktojnë edhe fituesin në kampusin politik të shqiptarëve.

Vendime strategjike

Sa i përket partisë “E Majta” dhe ZNAM-it, për të dyja partitë vendimi për të nominuar këshilltarë dhe kandidatë për kryetar komune në sa më shumë vende të jetë e mundur është një vendim strategjik. Arsovski është i mendimit se ky vendim nuk bazohet në atë nëse ata mendojnë se do të fitojnë apo jo. “Nëse nuk kanë kandidatë në një komunë, ata do ta ulin numrin e votave të tyre”, thotë bashkëbiseduesi i DW-së.

Sipas tij, bëhet fjalë për një pozicion fillestar për përmirësimin e pozicioneve të tyre në skenën politike. “Qëllimi është të jenë në fletëvotim në sa më shumë vende të jetë e mundur dhe në këtë mënyrë ta rrisin potencialin e tyre votues”, shton Arsovski.

Sipas tij, është fenomen që LSDM-ja po tregon rënie, ndërsa “E Majta” – rritje në disa komuna të Shkupit që janë kryesisht urbane dhe me një popullsi më të re, siç janë Aerodromi, Kisella Voda, Gjorçe Petrovi. Në këto komuna “E Majta” dhe LSDM-ja janë “kokë më kokë”.

Për dallim nga betejat politike në numrin më të madh të komunave, Neziri është i mendimit se në Kërçovë, Bërvenicë, Çashkë, Dollnen dhe Butel do të ketë edhe një garë etnike për ato komuna. “Këto zgjedhje lokale nuk kërkohet vetëm udhëheqësia e ardhshme e komunave, si pushteti më i afërt me qytetarët, por edhe primati politik që do të jetë baza për strategjitë e ardhshme të partive të lidhura me qeverinë qendrore”, thotë ai.

Analisti shton se këto zgjedhje do të japin një përgjigje nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, një qeveri konsensuale për BE-në, rindërtim dhe rigrupim, sa e fortë është VMRO-DPMNE-ja apo sa e dobët është LSDM-ja, por edhe kush në të vërtetë e ka legjitimitetin midis shqiptarëve për t’i përfaqësuar ata në nivel qendror.

Sa i përket pjesëmarrjes së kandidatëve të pavarur në këto zgjedhje lokale, ata “kandiduan” me emra të njohur dhe personalitete të dëshmuar në profesionin e tyre, të cilët e kanë simpatinë e publikut. Por, Arsovski mendon se për fat të keq në Maqedoni situata është e vendosur në atë mënyrë që infrastruktura dhe organizimi partiak kanë më shumë peshë sesa cilësia e ofertës së kandidatit.

Fushatë kombëtare për zgjedhje lokale

Sipas Nezirit kjo fushatë kombëtare për zgjedhjet lokale është një tregues se pushteti lokal nuk ka shumë rëndësi, se gjithçka varet nga pushteti qendror dhe se urgjentisht nevojiten reforma për të pasur komuna funksionale, të afta për të ofruar zgjidhje cilësore dhe efikase për problemet e qytetarëve.

Këto reforma do të nënkuptonin së pari ridizajnimin e kufijve të komunave dhe decentralizimin real të pushtetit, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë politik, thotë analisti për DW-në.

Ndryshe, zgjedhjet lokale të këtij viti do të mbahen më 19 tetor. Fushata zgjat pandërprerë deri më sot, 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu