Robelli: Ambasadorët e huaj kërcënuan me tërheqjen e trupave të NATO-s nëse zhbëhej Gjykata Speciale

Gazetari Enver Robelli ka zbuluar se ambasadorët e huaj në Kosovë kanë ndërhyrë drejtpërdrejt gjatë përpjekjeve për ta zhbërë Gjykatën Speciale, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të sillte pasoja të rënda, përfshirë tërheqjen e trupave të NATO-s nga vendi.

Në një lidhje direkte me emisionin “Off the Record” në A2 CNN, me gazetarin Andrea Danglli, Robelli tregoi se natën kur u diskutua iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ambasadorët e disa shteteve të fuqishme kishin shkuar personalisht në Kuvendin e Kosovës.

“Ka pasur një përpjekje nga Partia Demokratike e Kosovës për ta zhbërë Gjykatën Speciale. Unë e di që atë natë ambasadorët e shteteve të fuqishme kanë shkuar fizikisht në Parlament dhe u kanë thënë deputetëve të Kosovës se nëse e bëni këtë, atëherë kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme. Një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës më kishte thënë: ‘Na futën në një dhomë dhe na thanë që po e bëtë, do t’i tërheqim trupat e NATO-s nga Kosova”, tha Robelli.

Ai kujtoi se edhe më vonë, në vitin 2019, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kishte paralajmëruar ashpër Kosovën që të mos pengonte punën e Gjykatës Speciale.

“Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë qenë të qarta në qëndrimin e tyre. Për fat të keq, Kosova nuk ka pasur fuqinë e nevojshme që vetë të ballafaqohet me këtë kapitull. Ky është problemi nga kuptimi i rezonit shtetëror. Gjykatat nuk mendojnë nga rezoni shtetëror, por për viktimat – dhe viktimat ende ekzistojnë,” theksoi gazetari.

Duke folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Robelli tha se është e vështirë të jepet një vlerësim i plotë për shkak se shumë dëshmitarë kanë dëshmuar prapa dyerve të mbyllura.

“Është jashtëzakonisht e vështirë të analizosh procesin kur dëshmitë janë të mbyllura për publikun. Nuk dihet sa kanë qenë serioze akuzat, sepse aty mund të ketë pasur edhe dëshmitarë mashtrues,” shtoi ai.

Robelli komentoi edhe deklaratën e presidentit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit, i cili kishte pranuar se ndonjë individ mund të ketë keqpërdorur uniformën e UÇK-së.

“Kjo mund të ketë ndodhur, por nuk do të thotë se përgjegjës duhet të jetë e gjithë hierarkia. Kjo do të mbetet për t’u dëshmuar në procesin gjyqësor,” tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu