Në ora 07:00 të mëngjesit kanë filluar votimet për zgjedhjet e tetë lokale që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka konfirmuar se vendvotimet janë hapur me kohë.
KSHZ do të publikojë rezultatet paraprake të zgjedhjeve në mënyrë suksesiive, sipas të dhënave të marra elektronikisht nga komisionet komunale zgjedhore. Rezultatet përfundimtare duhet të publikohen më së voni 24 orë pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Komisionet zgjedhore komunale duhet të shpallin rezultatet paraprake brenda 7 orëve pas mbylljes së votimeve, duke u bazuar në të dhënat nga këshillat zgjedhorë, dhe ato do të publikohen në tabelat informuese në komunat përkatëse dhe në mediat publike.
Për Qytetin e Shkupit, rezultatet paraprake për këshillin dhe kryetarin e qytetit do të publikohen brenda 10 orëve nga përfundimi i votimit.