Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar një vizitë intensive në Strugë në mbështetje të kandidatit të partisë për kryetar komune, Mendi Qyra. Sipas burimeve të portalit in7, para se të dilte në terren për takime me qytetarët, Mickoski ka mbajtur një takim të mbyllur me strukturat e VMRO-së në Strugë, ku është diskutuar strategjia për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në këtë takim, Mickoski është raportuar të ketë qenë i prerë në mesazhin e tij: “Struga mora da se zeme”, që në përkthim do të thotë “Struga patjeter të merret”.
Sipas të njëjtave burime, kreu i qeverisë ka theksuar se kandidatura e Mendi Qyrës nuk është propozim i koalicionit VLEN, por zgjedhje e drejtpërdrejtë e tij personale.
Kryeministri ka kërkuar mobilizim të jashtëzakonshëm të çdo strukture lokale të VMRO-së, duke e cilësuar fitoren në Strugë si objektiv strategjik për partinë.
Burime brenda kampit të fushatës thonë se presioni për rezultat është i madh, pasi kandidati konsiderohet përfaqësues i VMRO-së dhe jo figurë e kompromisit me aleatët shqiptarë.
Vizita e Mickoskit në Strugë vjen në një klimë politike të tensionuar, ku opozita shqiptare ka ngritur akuza për përdorim të aparatit shtetëror dhe ndikim të strukturave të sigurisë në procesin zgjedhor. Raundi i dytë pritet të jetë një test i rëndësishëm jo vetëm për VMRO-në, por edhe për mënyrën se si do të funksionojë bashkëqeverisja ndëretnike në vend pas zgjedhjeve.










