Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mëngjesin e së martës ka pritur në takim Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se tashmë takimi mes tyre veçse ka përfunduar.
Madje mësohet se ani pse “dy hapa larg” nga objekti, Kurti ka shkuar me veturë nga parkingu mbrapa për tek Presidenca.
Ky takim vjen një ditë para skadimit të afatit për të vendosur nëse do të propozohet një mandatar të ri apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Të premten Osmani mblodhi liderët politikë për të diskutuar se çka më tutje, pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti që ta formojë qeverinë. Pas takimit, liderët e ish opozitës u deklaruan për zgjedhje, ndërsa Kurti nuk foli para gazetarëve. Ai tha vetëm se “kushtetuta dhe ligji janë të qarta”.
Atë ditë Osmani bëri të ditur se Kurti kishte kërkuar edhe disa ditë kohë për të vendosur nëse VV-ja do të dërgojë sërish një emër mandatari në përpjekje për formimin e qeverisë.










