Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një konference për media të martën mbrëma ka thënë se ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë, në përputhje me aktgjykimet e kaluara të Gjykatës Kushtetuese.
Osmani ka thënë se pas dështimit të parë, ka zhvilluar konsultime me partitë politike për të caktuar mandatarin e ri, ndërsa vetëm partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur gatishmërinë për të sjellë emrin.
“Por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose koalicion do t’i jepet mandati për ta propozuar kandidatin. Diskrecioni i presidentes vjen kur më shumë se një parti kërkon të ketë mandatarin. Në këtë rast, e kemi vetëm një parti. Rrjedhimisht sot kam mandatuar Glauk Konjufcën kandidat tjetër për kryeministër”, tha Vjosa Osmani.










